Askush nuk mund të sigurojë mbrojtje njëqind për qind nga kanceri. Për zhvillimin e kancerit janë përgjegjës një numër faktorësh. Në Zvicër, për çdo vit nga kanceri i gjirit preken 6,200 gra dhe 50 burra. Kjo e bën kancerin e gjirit llojin më të shpeshtë të kancerit tek gratë ose, pothuajse një të treten e të gjitha diagnozave të kancerit.
Kanceri i gjirit është një temë tabu, dhe megjithëse është lloji më i shpeshtë i kancerit tek gratë, shumë njerëz i mbyllin sytë nga kjo sëmundje. Nëse keni pasur ndonjë përvojë me kancerin, do të dini se sa shumë prek kjo sëmundje të gjitha fushat e jetës. Pas përjetimit të kancerit, jeta nuk është më e njëjtë si më parë, raportojnë si të prekurit ashtu dhe të afërmit e tyre. Pasiguria dhe shqetësimi, por edhe dhimbja, lodhja dhe ndryshimet fizike peshojnë shumë. Për t`u ambientuar me këtë realitet të ri është zakonisht e vështirë dhe kërkon kohë të ndryshme për të gjithë të përfshirët.
Lidhja e Kancerit nuk shikon anash, për të përparësinë kryesore e ka sëmundja dhe mirëqenia e njerëzve. Ka shumë faktorë që mund të ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit. Si një organizatë e pavarur e pacientëve, Lidhja e Kancerit informon, mbështet dhe shoqëron falas të sëmurët me kancer dhe familjet e tyre. Në këtë tekst do të gjeni informacione që mund të jenë të dobishme për ju.
Edhe burrat sëmuren nga kanceri i gjirit
Gjinia është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për kancerin e gjirit. Por edhe burrat ndodh të sëmuren nga kanceri i gjirit, ndonëse shumë më rrallë se gratë.
Këta janë faktorët e rrezikut:
Nuk mund të ndikohet: Gjinia, mosha, historia familjare (nëse një ose më shumë të afërm të shkallës së parë (nëna, motra, vajza) janë tashmë të sëmurë ose predispozitat trashëgimore.
Mund të ndikohet: Aktiviteti fizik, konsumimi i alkoolit / duhanit dhe dieta.
Procesi natyror i plakjes së trupit është një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut për kancer. Katër në pesë pacientë me kancer gjiri janë mbi 50 vjeç kur diagnostikohen. Nëse nëna, motra ose vajza e një gruaje në familje ka kancer të gjirit, ajo gjithashtu ka një rrezik në rritje të sëmundjes.
Jetesa e ekuilibruar
Disa faktorë rreziku për kancerin e gjirit janë të lidhur ngushtë me stilin e jetës personale dhe shpesh mund të shmangen ose të paktën të zvogëlohen: Gratë që ushtrojnë shumë kanë një rrezik më të ulët të kancerit të gjirit. Nga ana tjetër, konsumi i alkoolit dhe duhanit rrit rrezikun e kancerit të gjirit. Për këtë arsye, këshillohet që alkooli të konsumohet vetëm në sasi të vogla dhe jo çdo ditë, dhe të përmbaheni nga pirja e duhanit. Marrja e lartë e yndyrave dhe ushqimet e pasura me sheqer konsiderohen gjithashtu faktorë rreziku. Një dietë e ekuilibruar me shumë fruta dhe perime mund të ndihmojë në parandalimin e mbipeshës dhe në këtë mënyrë të zvogëlojë rrezikun e kancerit të gjirit. Gratë që ushqejnë me gji foshnjat e tyre për periudha më të gjata kohore kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit të gjirit më vonë në jetë sesa gratë që nuk ushqejnë me gji.
A mund ta zvogëloj rrezikun e shfaqjes së kancerit?
Metoda më e rëndësishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit në gratë e moshës mbi 50 vjeçe është mamografia. Lidhja Zvicerane e Kancerit rekomandon dhe mbështet zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit përmes kontrolleve të mamografisë tek gratë e moshës 50 e më shumë vjeçe. Në shumë kantone ka programe në të cilat gratë nga mosha 50 vjeç ftohen çdo dy vjet të bëjnë një mamografi të zbulimit të hershëm. Pjesëmarrja është vullnetare. Kompania e sigurimeve shëndetësore paguan koston e zbulimit të hershëm të mamografisë si pjesë e një programi ose nëse ekziston një rrezik familjar i rritur i kancerit të gjirit. Vetëkontrolli i gjirit është një mënyrë e thjeshtë për të vërejtur ndryshimet në gji. Megjithatë, ai nuk është zëvendësim për ekzaminimin mjekësor ose mamografinë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Studimet mbi vetë-ekzaminimet e rregullta nuk mund të tregojnë se kjo mund të zvogëlojë numrin e vdekjeve nga kanceri i gjirit. Sidoqoftë, nuk mund të përjashtohet që në raste individuale një grua mund të përfitojë nga vetë-ekzaminimet e rregullta të gjirit. Nëse jeni nga ato gra që rrezikohen nga kanceri i gjirit, kërkoni këshilla mjekësore. Pika e parë e kontaktit është mjeku juaj i familjes. Nëse përjetoni simptoma si një gungë ose dhimbje gjoksi, veproni shpejt. Nëse kanceri i gjirit zbulohet herët, trajtimi është shpesh më i lehtë dhe shanset e gruas së prekur për të mbijetuar janë përgjithësisht më të larta.
Hapini rrugë ndjenjave
Në rrjedhën e sëmundjes gjithmonë mund të ketë faza në të cilat lindin emocione si zemërimi, zilia ose vetë-keqardhja. Ndjenjat e tilla janë pjesë e kancerit – ashtu siç janë dhe pjesë e jetës. Ato janë, thjesht, pjesë e reagimeve normale njerëzore dhe në shumicën e rasteve ato zhduken përsëri. Po aq normale sa dëshira për mbështetje është edhe nevoja për pushim dhe vetmi. Shumica e përjetojnë periudhën midis diagnozës dhe fillimit të trajtimit si veçanërisht të vështirë. Pritja e rezultateve të mëtejshme të testit lë shumë hapësirë të hapur për spekulime, shpresa dhe frikë. Ndonjëherë do të ju ndihmojë mbajtja e një strukture të mirë dhe të rregullt të ditës dhe shpërqendrimi, përmes aktiviteteve. Kjo ju mundëson të pushoni nga mendimet shqetësuese. Kështu, ndonjëherë është një mbështetje e mirë nëse blini, gatuani, hani ose shëtitni në kohën e zakonshme, ashtu si keni bërë para diagnozës ose terapisë.
Gjatë trajtimit ka gjithmonë ditë “të mira” në të cilat ndiheni më mirë. Në ditët si këto, përpiquni të bëni diçka që ju jep energji dhe gëzim. Pranimi i situatës siç është në vend të “luftës” kundër saj mund të ndihmojë të ndieni përsëri tokën nën këmbët tuaja dhe të filloni përsëri nga vendi ku jeni tani.
Nëse keni pyetje, Lidhja e Kancerit ofron këshilla dhe mbështetje falas në faqen e internetit:
Ligat kantonale dhe rajonale janë afër. Ata u ofrojnë të gjithë njerëzve të prekur nga kanceri dhe të afërmve të tyre në të gjithë Zvicrën, këshilla dhe mbështetje individuale falas:
www.krebsliga.ch/regjion
Këshilltarët specialistë nga «linja telefonike për kancerin» do t’ju ndihmojnë rreth pyetjeve për kancerin:
Telefoni: 0800 11 88 11 (falas)
Email: [email protected]
Biseda: www.krebsliga.ch/cancerline
Forumi: www.krebsforum.ch
Skype: krebstelefon.ch
Informacione me shkrim:
www.krebsliga.ch/brustkrebs
www.krebsliga.ch/infomaterial
www.krebsliga.ch/krebs-vorbeugen/
Broshurat: www.krebsliga.ch/shop