Pandemia Covid-19 ka ndikuar për mirë në raport me humbjen e jetëve nga aksidentet rrugore. Krahasuara me vitet paraprake që kishim numër të madh të vdekjeve në rrugë.
Pra vlen të theksohet se aksidentet në trafik në përgjithësi, përfshirë edhe ato me fatalitet në periudhën e këtij viti (2020) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2019) kanë shënuar rënie.
Gjatë këtij viti, në aksidente rrugore kanë humbur jetën 80 persona, derisa në vitin 2019 ky numër ishte shumë më i lartë, pra 122.
Sipas statistikave të siguruara nga Policia e Kosovës për lajmi.net, numri i përgjithshëm i aksidenteve në vendin tonë gjatë periudhës janar-nëntor është 11 mijë e 976, prej tyre 4 mijë e 711 me të lënduar, dhe 7 mijë e 198 vetëm me dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe 8 mijë e 814 persona kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërkaq, numri i përgjithshëm i aksidenteve në vitin 2019 ishte 15 mijë.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, përveç detyrave për garantimin e sigurisë së përgjithshme, ndërmerr veprime dhe operacione të vazhdueshme edhe në menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor.
Planifikimet për menaxhimin dhe kontrollin në trafik me shfaqjen e pandemisë janë aranzhuar dhe ka pasur fleksibilitet në planet operacionale në pajtim me situatën e krijuar.
Po ashtu Policia e Kosovës varësisht nga situata dhe frekuentimi i trafikut, ndërmerr veprime me plane konkrete përfshirë shtimin e prezencës policore, me qëllim të menaxhimit të trafikut, i cili ditëve të fundit është më i frekuentuar, tani me rastin edhe të ardhjes së bashkatdhetarëve tanë në Kosovës për festat e fund vitit.
Kryesisht frekuentimi më numër më të madh të automjeteve ndodh në orët e hershme të mëngjesit dhe në orët e pasditës/mbrëmjes kur përfundon orari i punës.