Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, në konferencën për media ku u prezantua projekti i banimit social adekuat tha se projekti ka arritur në fazën finale dhe se nga e hëna do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me 21 komunat përfituese.
“Duke filluar nga dita e hënë, ne nisim nënshkrimin e marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, duke shënuar kështu investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë”, tha Pacolli Dalipi.
Sipas saj, projekti ka vlerë prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro financohen nga Banka për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe 12 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.
Ajo tha se shpërndarja e mjeteve nuk është bërë në mënyrë uniforme, por është bazuar në gjendjen sociale dhe shkallën e varfërisë në komuna.
Komuna e Skenderajt do të përfitojë 3.4 milionë euro, ndërsa Drenasi dhe Mitrovica e Jugut nga 2.25 milionë euro. Vushtrria do të përfitojë 2.235 milionë euro, ndërsa komunat e tjera përfituese nga 2 milionë euro secila.
Pacolli Dalipi bëri të ditur se nga ky investim pritet të përfitojnë rreth 773 familje, përmes katër komponentëve: ndërtimit të njësive të reja, renovimit të banesave sociale, si dhe renovimit apo rindërtimit të shtëpive private për familjet e cenueshme.
Pacolli: Projekti synon zhvillim të balancuar të territorit
Ministrja tha se projekti nuk është vetëm një ndërhyrje infrastrukturore, por edhe pjesë e politikave për zhvillim të balancuar territorial.
“Ne nuk mund të pretendojmë se kemi qytete dhe fshatra të planifikuara mirë nëse brenda tyre lejojmë hapësira ku familjet tona jetojnë në kushte degradimi e pasigurie”, tha ajo.
Sipas Pacollit, mbështetja e familjeve në vendbanimet e tyre mund të ndihmojë në frenimin e shpërnguljeve dhe migrimit të brendshëm.
“Kur investojmë në shtëpitë e një familjeje aty ku ajo jeton, ne frenojmë urbanizimin e pakontrolluar, zbusim presionin mbi infrastrukturën e qyteteve të mëdha dhe ruajmë vitalitetin e komuniteteve lokale”, u shpreh Pacolli Dalipi.
Rregullimi i pronësisë, parakusht për renovimin e shtëpive
Pacolli Dalipi tha se projekti ka edhe dimension pronësor dhe juridik, pasi për shtëpitë që do të renovohen apo rindërtohen, rregullimi i statusit pronësor është parakusht i detyrueshëm.
“Investimi ynë nuk mjaftohet tek vendosja e kulmit të një shtëpie, por kjo shërben edhe si mekanizëm i formalizimit të pronësisë, duke u pajisur kështu me dokumentacion të rregullt ligjor këtyre familjeve që po u kthehet banimi i dinjitetshëm”, tha ajo.
Ajo theksoi se me nisjen e nënshkrimit të marrëveshjeve me 21 komunat, projekti synon t’u sigurojë qindra familjeve banim të sigurt dhe jetë me dinjitet në vendbanimet e tyre./RTK/