Në Kosovë shumë shpesh pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë terapitë që janë mjaft të kushtueshme për xhepin e tyre. Mungesa e barnave është pasojë e institucioneve përgjegjëse që nuk po i sigurojnë barnat në Listën Esenciale. Nga ministria thonë se ka furnizim rreth 70% me barëra esenciale.
Që nga paslufta, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin Listën Esenciale të barnave 100 për qind. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Radio Kosovën se furnizimi me barna esenciale është rreth 70 për qind.
Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të barnave dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato. Një pacient në Institutin e Onkologjisë tregon për Radio Kosovën se shpeshherë detyrohet t’i blejë vetë barërat për bashkëshorten e tij.
“Ndonjëherë ka, e ndonjëherë jo. Para tre javësh nuk ka pasur dhe jam detyruar që t’i blejë vetë, diku në një çmim që kanë kushtuar 100 euro“, tha ai .
Diana Metushi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se është e dhimbshme që qytetari kosovar, që është edhe vendi më i varfër në Evropë, përveç ballafaqimit me sëmundjen, detyrohet që vetë t’i sigurojë barnat për trajtim.
“Për sa i përket mungesës së furnizimit me barëra të Listë Esenciale, është e dhimbshme, sepse mbi 20 për qind e tenderëve që shpallën nga SHSKUK-ja dhe Ministria dështojnë ose anulohen në mungesë të ofertës e që tregon problem serioz për sa i përket pjesës së planifikimit.
Metushi , thotë se është shqetësuese heshtja e vazhdueshme e qeverisë, për gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Metushi.
Deputeti i PDK-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, fajëson ndryshimet e shpeshta që janë bërë në sistemin e shëndetësisë.
“Furnizimi në Listën Esenciale viteve te fundit ka qenë 90% e tani ka rënë në 70% dhe as pak mjekët nuk janë fajtorë për mungesën e barnave e faji duhet të kërkohet tek menaxherët dhe ndryshimet që janë bërë në sistemin shëndetësor pa dhënë rezultate e për këtë ka pasur mungesë të barnave në këtë vit”, tha Haxhiu.
Nga 296 milionë euro sa kanë ndarë qeveria për vitin tjetër, vetëm për mbulimin e Listës së barnave esenciale janë buxhetuar 60 milionë euro. Në kuadër të saj është përfshirë revidimi i listës së re të barnave esenciale./RTKlive/