LAJME

Osmani: Qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh

Osmani: Qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Gusht 2026, 09:31

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës, që sipas saj, ndihmojnë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të Kosovës.

Ajo theksoi se për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës.

Prandaj, sipas saj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh.

Osmani thotë se përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë.

“Mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për sigurinë në çdo pëllëmbë të territorit tonë dhe për çdo qytetar të vendit tonë.” – ka shkruar tutje Osmani në Facebook.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika