Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nga dialogu me Serbinë pret njohjen e ndërsjellë.
Ajo ka deklaruar se pritjet e Kosovës nga dialogu janë të njëjta me ato që janë paraqitur në letrën e Joe Biden, presidentit të SHBA-së.
“Duke folur për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, siç e dini, një takim për këtë temë u mbajt tani në qershor dhe tjetri është planifikuar të mbahet më 25 korrik. Kryeministri ynë, Albin Kurti prezantoi pikëpamjet e Kosovës kur bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal. Arritja e paqes së qëndrueshme përmes drejtësisë lidhet gjithashtu me problemet e të drejtave të pakicave dhe ndriçimin mbi fatin e personave të zhdukur. Këto ishin temat e takimit fillestar, prezantues”.
“Ne do të shohim se si do të zhvillohen gjërat më 25 korrik. Unë mendoj se është shumë herët për të gjykuar procesin dhe për të nxjerrë një përfundim të qartë dhe përfundimtar. Por ne jemi shumë të qartë për pritjet tona dhe ato janë identike me ato të theksuara në letrën e dërguar nga Presidenti Joe Biden. Ajo përcakton qartë se ky proces duhet të ketë për qëllim njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne presim. Përndryshe, të gjitha përpjekjet do të ishin vetëm një mundësi që Serbia të përparojë dhe të shtyjë proceset e njohjes sonë, dhe kjo kohë do të ishte e pakthyeshme”, ka thënë Osmani.