Presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të enjten kanë diskutuar për propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme rreth zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore, e cila nxiti reagime të serbëve dhe ndërkombëtarëve për shkak se ndalon përdorimin e dinarit. Rregullorja e BQK-së do të sfidohet edhe në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se ajo shkel 12 nene të aktit më të lartë juridik
Në njoftimin për media të Presidencës së Kosovës, megjithatë, nuk bëhet e ditur se cilat propozime janë trajtuar.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e transicionit për zbatimin e Rregullores së BQK-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-së për sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Në mes të tjerash, në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, thuhet më tej në njoftim.
Në shënimin e Ditës së Presidentit të Amerikës në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi nga institucionet që të bashkëpunojnë me SHBA-në lidhur me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit të Serbisë. Ajo ka bërë thirrje që plani i transicionit për zbatimin e Rregullores që ka të bëjë me operacionet me para të gatshme ta ketë pajtimin edhe të ndërkombëtarëve.
Për shkak të mospërfilljes së kërkesës amerikane, ambasadori Hoveneri dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, deklaruan së fundi se SHBA-ja nuk do të mund ta trajtojë Kosovën si partnere nëse ajo merr vendime pa u konsultuar paraprakisht.
Me gjithë kundërshtimin e ndërkombëtarëve, Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt dhe ajo parasheh vetëm euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Pas kritikave, Qeveria paralajmëroi një fazë transicioni me një listë prej 10 masave, në mënyrë që qytetarët serbë të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re.
Në komunat me shumicë serbe përdoret edhe dinari.
Veç negociatave që do të zhvillohen në Bruksel për këtë çështje, serbët e kanë sfiduar Rregulloren edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në një përgjigje për KOHËN, në këtë institucion thanë se më 20 shkurt kanë pranuar “vetëm formularin e kërkesës”, parashtruar nga avokati, Vasilije Arsiq, i cili konteston kushtetutshmërinë e nenit 35 të Rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme.
Sipas njoftimit, pretendohet për shkeljen e 12 neneve të Kushtetutës.
“Nenet e kontestuara janë: 7 [Vlerat], 11 [Valuta], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 25 [E Drejta për Jetën], 46 [Mbrojtja e Pronës], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], 57 [Parimet e Përgjithshme], 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se “valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.
Sipas BQK-së, valutat e tjera jo euro mund të përdoren në Kosovë vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.