Partia kryesore opozitare në Turqi shënoi fitore të thellë në zgjedhjet lokale të së dielës. Opozita ruajti kontrollin e saj mbi qytetet kyçe dhe bëri fitime të mëdha në qytete tjera duke shqetësuar presidentin Rexhep Taip Erdogan, i cili kishte vendosur të rimarrë kontrollin e këtyre zonave urbane. Me më shumë se 90 për qind të kutive të votimit të numëruara, kryebashkiaku aktual i Stambollit Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane, ose CHP, kryeson me një diferencë të madhe në qytetin më të madh dhe qendrën ekonomike të Turqisë.
Mansur Yavas, kryebashkiaku i Ankarasë, mbajti vendin e tij me një diferencë mahnitëse prej 25 pikësh ndaj kundërshtarit të tij, treguan rezultatet. Në përgjithësi, CHP fitoi bashkitë e 36 nga 81 provincat e Turqisë, duke bërë një depërtim në shumë bastione të partisë së Erdoganit. Ajo fitoi 37% të votave në mbarë vendin, krahasuar me 36% për partinë e presidentit, duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP që kur Erdogan erdhi në pushtet dy dekada më parë. Erdogan pranoi humbjen zgjedhore në një fjalim të mbajtur nga ballkoni i pallatit presidencial, duke thënë se partia e tij kishte pësuar “një humbje lartësie” në të gjithë Turqinë.





