Policia e Kosovës ka rrumbullakuar një hetim të shtrirë në dy vite kalendarike (2020-2021) me arrestimin e 13 personave të dyshuar për veprat penale: Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve dhe materialeve plasëse.
Sipas njoftimit të Policisë, me të arrestuarit e sotëm numri i përgjithshëm për këtë hetim është rritur në 25.
“Operacionet policore janë realizuar me urdhëresë të organeve të drejtësisë, e që kanë përfshirë disa lokacione, konkretisht Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut, ku gjatë kontrollit të disa shtëpive dhe objekteve përcjellëse në të dy operacionet, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: Tetë armë të gjata të llojeve të ndryshme, 13 armë të vogla revole, 2 karikatorë, 1.493 municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme të armëve, pajisje për pastrimin e armëve, 2 leje për armë, 2 vetura, 1 palë dylbi, 21 telefona celularë, 2.000 euro dhe 1 fletore me shënime”, thuhet në njoftim.








