Një rast i dyshuar i dhënies së ryshfetit është zbuluar në Dragash, ku një person dyshohet se ka tentuar ta bindë një mbikëqyrës të Parkut Nacional që të mos procedonte një rast të prerjes ilegale të pyllit.
Mbikëqyrësi në Parkun Nacional në Dragash ka raportuar në Polici se i dyshuari i ka ofruar dy herë nga 20 euro në këmbim të mosprocedimit të rastit.
“Më 07.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti me datën e cekur i kishte ofruar ryshfet në shumën prej 2x nga 20 € ndaras, ankuesit mashkull kosovar-mbikëqyrës në Parkun Nacional në Dragash, në këmbim të mos procedimit të rastit për shkak se i njëjti me datën e cekur kishte prerë dru kundërligjshëm brenda zonës së parkut”, thuhet në raportin e PK-së.
Pas intervistimit, i dyshuari dyshohet se ka pranuar se kishte dhënë ryshfet, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa rasti i prerjes ilegale të pyllit po trajtohet ndaras nga Policia në Dragash.