Ekspertët e sigurisë së vaksinave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po planifikojnë të takohen më 16 mars për të diskutuar lidhur me vaksinën e AstraZeneca-s kundër COVID-19. Shumë vende e kanë ndaluar përdorimin e saj për shkak të shqetësimeve që lidhen me mpiksjen e gjakut.
OBSH-ja thotë se nuk ka prova për një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut dhe ajo duhet të vazhdojë të përdoret.
“Ne nuk duam që njerëzit të kenë panik. Për momentin ne do të rekomandonim që vendet të vazhdojnë vaksinimin me AstraZeneca”, tha shefja për shkencë e OBSH-së Soumya Suaminathan.
Franca, Gjermania dhe Italia ndaluan përdorimin e vaksinës së Astrazeneca-s më 15 mars. Atyre iu bashkuan edhe Portugalia, Spanja, Letonia dhe Sllovenia. Edhe një sërë vendesh tjera evropiane dhe gjetkë në botë kanë pezulluar përdorimin e saj.
AstraZeneca ka thënë se ka rishikuar me kujdes të dhënat për 17 milionë njerëz që kanë marrë këtë vaksinë në Evropë. Nga ta, ka thënë AstraZeneca, 37 njerëz kanë pasur probleme me mpiksje gjaku. Sipas saj, “nuk ka prova të rrezikut në rritje” për mpiksje gjaku në ndonjë grupmoshë apo gjini.
Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka “asnjë tregues se vaksinimi i ka shkaktuar këto rrethana”. Rregullatori i Bashkimit Evropian ka thënë se numri i raporteve për mpiksje gjaku te njerëzit e vaksinuar me AstraZeneca, nuk është më i lartë se tek ata që nuk janë vaksinuar.
BE-ja ka miratuar vaksinat nga Pfizer / BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson dhe po monitoron të tjerat, përfshirë vaksinën Sputnik V të Rusisë.