Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të martën se Europa mund të përballet verës me “javë më vdekjeprurëse”, nga një valë tjetër e të nxehtit intensiv që po formohet mbi Oqeanin Atlantik, ka raportuar të martën (07.07.2026) Reuters.
Temperaturat në Portugali dhe Spanjën jugore pritet të shkojnë deri në 43 gradë Celsius në ditët e ardhshme.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, ka pasur një takim emergjent të hënën me përfaqësues nga 41 vende në rajon, Komisionin Europian dhe grupet e shoqërisë civile për t’i diskutuar leksionet nga vala e fundit e nxehtësisë dhe përgatitjet për të radhës.
Kluge ka thënë nëpërmjet një deklarate se vendet me plane shëndetësore veprimi ndaj nxehtësisë reaguan më shpejt dhe mbrojtën më mirë popullsinë e tyre gjatë valës së nxehtësisë së qershorit.
Megjithatë, ai ka thënë se më pak se gjysma e shteteve anëtare europiane të OBSH-së kanë plane të tilla.
Ekspertët kanë thënë se vala e nxehtësisë e 20-28 qershorit ishte më e rënda e regjistruar në Europë, duke shkaktuar reduktime elektrike, dëmtuar infrastrukturën dhe mbingarkuar sistemet e kujdesit shëndetësor.
Nxehtësia ekstreme pothuajse me siguri të plotë u shkaktua nga ndryshimet klimatike, kanë thënë shkencëtarët.
Franca, Holanda dhe Belgjika regjistruan 3.700 vdekje të lidhura me motin. Autoritetet paralajmërojnë se shifrat janë paraprake dhe mund të rriten.
Temperaturat gjatë valës së të nxehtit shkuan në 40 gradë Celsius në disa pjesë të Europës.
Kluge ka thënë se banorët e qendrave të kujdesit, të pastrehët dhe të moshuarit e izoluar nga rrethi ende nuk po kanë kujdes të duhur në vazhdimësi në krejt Europën.
“Punë kërkohet në dy fronte: rregullimi i asaj që dështoi në javët e fundit para se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe ndërtimi i llojit të sistemeve shëndetësore që jo vetëm i përgjigjen nxehtësisë ekstreme, por janë të gatshme për të”, ka thënë Kluge./Kallxo.com