Sot janë bërë një muaj prej kur një formacion ushtarako-policor serb organizoi një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe një tjetër i plagosur.
Autoritetet e Kosovës iu përgjigjën me efikasitet këtij rasti duke rrethuar Manastirin e Banjskës ku ishin ngujuar grupi i armatosur, ku si rezultat tre prej këtyre të fundit u vranë.
Qeveria e Kosovës e ka fajësuar atë të Serbisë duke thënë se është e përfshirë direkt në këtë sulm dhe se ekzistojnë prova që dëshmojnë një gjë të tillë.
Megjithëse gishtin e drejton ka Serbia, Qeveria e Kosovës herë e quan akt terrorist, herë agresion, e nganjëherë i përdorë edhe të dyja këto terme për ta pashkruar atë që ka ndodhur më 24 shtator.
Klankosova.tv ka intervistuar njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një ekspert të çështjeve të sigurisë dhe të dy ata vlerësojnë se në rastin e Banjskës ka elemente të agresionit të një shteti ndaj një shteti tjetër.
Profesori i negocimit dhe diplomacisë, Valon Murtezaj, shtron nevojën që të kryhet një hetim i detajuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët në mënyrë që të definohet saktë se ishte agresion apo sulm terrorist.
“Një raport hetimi i detajuar, me evidencë dhe prova do të mundësonte një definim të saktë të termave. Sulmi në Banjskë ishte i organizuar, ishte terrorist dhe kishte përmasat dhe komponentët e agresionit. Megjithatë raporti i hetimit të plotë të sulmit, raporti i Kosovës dhe mundësisht ndërkombëtar, për shembull i NATO-s, nëse provon përfshirjen e shtetit të Serbisë, atëherë kjo do të qartësonte se sulmi ishte agresion. Sepse nëse një shtet ka dërguar grupe të organizuara në territorin e një shteti tjetër, atëherë kjo quhet agresion, që është krim kundër paqes dhe akt agresioni”, ka thënë Murtezaj për Klankosova.tv.
Sipas tij, ky rast ka marrë edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, por se shpeshherë atij i mungon uniteti për të reaguar njëzëri.
“Vëmendja i është dhënë edhe në dimensionin ndërkombëtar, është dënuar në të gjitha forumet ndërkombëtare. Por, sistemi ndërkombëtar shpesh është anarkik dhe nuk ka vetëm një zë. Kjo e bën të vështirë funksionimin praktik dhe arritjen e konsensusit për të reaguar. Megjithatë, NATO, Shtetet e Bashkuara dhe BE në përgjithësi kanë ndërmarrë masa, që sulmet e tilla të mos përsëriten. Sado që asnjëherë nuk mund të themi me siguri të plotë se një qeveri destruktive si e Serbisë nuk provon prapë të kërcënojë paqen në Kosovë dhe në rajon”, ka shtuar ai.
Më tej, ai thekson se sulmi në Banjskë ka ndryshuar edhe rrjedhën e dialogut me Serbinë dhe se disa aspekte duhet ri-aranzhuar.
“Është e vërtetë se sulmi i 24 shtatorit ka ndryshuar shumë aspekte që lidhen me dialogun. Disa aspekte duhet te ri-aranzhohen. Por, prapë duhet kthyer në tavolinë të dialogut sepse aty është mundësia të mbrohen interesat nacionale të Kosovës. Kosova duhet të jetë gjithmonë e përgatitur të reagojë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit, por gjithmonë duhet të jetë në komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe institucionet politike evropiane dhe Shtetet e Bashkuara”, ka potencuar në fund Valon Murtezaj.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thekson se ajo çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ka qenë një tentativë e Serbisë për ta aneksuar veriun e Kosovës.
“Dyshohet se është organizim në formë institucionale me pretendime të caktuara politike, atëherë është agresion sepse ka pretendime territoriale. Ndërsa aspekti i aksionit terrorist, ka edhe ai qëllime politike, por është për të kryer akte terrori dhe frike. Ka edhe aspekte politike edhe fetare. Agresioni nënkupton që një shtet organizon një grup të caktuar të armatosur në këtë rast është sistemi i luftës hibride që ka përdorur Rusia duke ngritur grupet separatiste brenda shtetit me qëllim të aneksojë pjesë”, ka thënë Ibishi për Klankosova.tv.
“Ajo që ka ndodhur në Banjskë ka qenë një aneksim në tentativë me qëllim që të përfshihen edhe strukturat tjera ekstremiste sepse ka pasur synim disa vende – diku 23 pika që të zhvillojë ato celulat e një kryengritjeje me qëllim që të aneksojë një pjesë të territorit dhe mandej ta shpallë si pjesë të okupuar”, ka shtuar ai.
Sipas tij, falë imazheve të drejtpërdrejta nga vendi i ngjarjes është arritur që të bëhet identifikimi i personave të përfshirë, ku në mesin e tyre ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
“Megjithëse Parlamenti Evropian e definoi si akt terrorist, mirëpo dha mundësi që hetimet që janë në zhvillim e sipër të definojnë vetë aspektet e këtij veprimi. Unë mendoj që tash ka mbet si peng i hetimeve. Edhe Parlamenti Evropian nuk po e definon saktësisht çështjen ngase hetimet përcaktojnë aspektin e ndërmarrjes. Se a do të kualifikohet si vepër terroriste apo një veprim i aneksimit të territorit, për këtë arsye mendoj se definimi bëhet në përfundim të hetimeve kur ngritet aktakuza dhe kualifikohet vepra”, ka thënë në fund Agim Musliu.
Kujtojmë se Parlamenti Evropian përmes një rezolute e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e cilësuar si sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
Përmes kësaj rezolute po ashtu i bëhet ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë në rast se hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve./Klankosova.tv/.