Ka nisur të popullohet lagja ilegale serbe në Zveçan, që njihet si “Lugina e Diellit”, dhe e cila kur u nis të ndërtohet në 2016-n, në Kosovë u cilësua si projekt kolonizimi. Autoritetet nuk kanë ndalur punimet në të, ndonëse projekti është ilegal. E qytetarët shqiptarë të veriut ankohen se prej 25 vjetësh, Qeveria nuk ka ndërtuar me ritmin e duhur shtëpitë e tyre të djegura gjatë luftës, ndërsa ka lejuar Serbinë ta popullojë këtë pjesë edhe me serbë që nuk kanë jetuar paralufte në këtë pjesë.
Edhe pak ditë bëhen 25 vjet që Betim Osmani u dëbua dhunshëm nga shtëpia e prona e tij në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut. As çerekshekulli pas, Osmani nuk ka arritur të kthehet në vendbanimin ku gjatë luftës forcat serbe i dogjën rreth 80 shtëpi.
Nga 2013-ta ai thotë se tri vjet radhazi pothuajse çdo javë u është drejtuar ministrive, për të krijuar mundësi që të kthehet në pronën e tij.
Sipas tij, më 2016 u bënë përpjekjet e para për ngritjen e shtëpisë së re, porse ato u ndalën nga “grupe të caktuara”, për të cilat thekson se nuk sfidoheshin as nga shteti.
“Me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim kemi filluar ndërtimin më 2016-tën. Kemi punuar 15 ditë pa asnjë problem. Pas 15 ditëve kemi pasur probleme ku është dëmtuar prona dhe muret që kanë qenë duke u ndërtuar dhe më nuk kemi pasur përgjigje as nga institucionet e sigurisë në atë kohë, as nga Ministria, as nga Qeveritë deri më tani”, ka thënë ai.
Njësoj, në këtë lagje s’mund të kthehet as Ramadan Istrefi, i cili thekson se nga 1999-a ka provuar disa herë ta rindërtojë shtëpinë e djegur, por s’është lejuar nga serbët lokalë.
“E kam pasur shtëpinë trekatëshe. E kam pasur diku 300 metra katrorë a më shumë. Por më ka mbetur sot e asaj dite e kalltë, por nuk ka mbetur vetëm shtëpia ime, por kanë mbetur 80 shtëpi të kallta të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut. Kemi provuar t’i rindërtojmë, por na kanë penguar serbët, se kemi provuar si jo. Kemi provuar disa herë, por na kanë penguar”, thotë Istrefi.
Në “Kroin e Vitakut” Qeveria ka nisur ndërtimin e disa shtëpive në shtator të vitit të kaluar, por Betim Osmani ankohet se puna po shkon ngadalë.
“Në lagjen ‘Kroi i Vitakut’ kanë nisur 7 shtëpi, prej shtatorit të 2023, ama me këtë ritëm që është duke vazhduar vetëm në lagjen ‘Kroi i Vitakut’ ne na duhen edhe 10 vjet për t’u kthyer komplet 76 shtëpitë. Paramendo, për 350 shtëpi sa janë djegur gjithsej, ritmi i ndërtimit është shumë i ngadalshëm dhe sistemi i punës ose organizimi është shumë i dobët”, thotë ai.
Ankesa ka edhe për shtëpitë e ndërtuara të cilat thotë se nuk i përmbahen numrit të banorëve e as nevojave të tyre.
“Në këtë teren çdo shtëpi ka qenë me bodrum. Shumica e punëve që janë bërë, janë shtëpi njëkatëshe. Janë bërë 72, 62 metra katrorë. Raste-raste 120 metra katrorë. Nuk kemi informata as çfarë kriteresh janë aplikuar, as çfarë kriteresh është duke përdorur Qeveria dhe Ministria. Këtu duhet të ketë kthim të qëndrueshëm”, ka insistuar Osmani.
Disa kilometra larg pronave të Osmanit e Istrefit, pikërisht në veri të Kosovës, Serbia ka ndërtuar një lagje të tërë në Zveçan, për ta populluar me serbë.
Lagjja 15-hektarëshe është quajtur “Lugina e Diellit” dhe është ndërtuar e tëra me financim të Serbisë.
Ndonëse është pothuajse në përfundim, ka nisur të popullohet me serbë.
Lagja ka filluar të ndërtohet më 2016 dhe aty janë ngritur 300 njësi banimi, përfshirë shtëpi, banesa, çerdhe dhe një kishë.
Zyrtarë serbë e patën cilësuar moment historik fillimin e projektit që është ngritur tashmë afër Kalasë së Zveçanit dhe që është bashkëfinancuar me Argjipeshkvinë Rashkë-Prizren.
“Ky është hap historik për kthimin e popullit tonë në Kosovë, për serbët në Kosovë, por edhe për të gjithë serbët nga Kosova të cilët para 16 vjetësh u dëbuan”, pati thënë Marko Gjuriq, atëkohë drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e tash ambasador i Serbisë në SHBA.
Për ta ndalur ngritjen e projektit, pafuqi patën treguar autoritetet kosovare.
“Ata nuk kanë të drejtë për ndërtimin e lagjes ‘Lugina e Diellit’”, pati thënë Isa Mustafa, atëkohë kryeministër. “Është e palejueshme dhe nuk ka asnjë vlerë përderisa institucionet nuk kanë dhënë leje”.
E Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lëshoi një komunikatë shtypi, për të bërë të ditur se për projektin, nuk ka qenë e informuar dhe as e konsultuar në asnjë moment. Në këtë institucion e kanë kualifikuar si të jashtëligjshëm ndërtimin.
Çështja ishte ngritur disa herë edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Ky është kolonizim klasik”, pati këmbëngulur Rifat Qelaj, atëkohë deputet. “Përderisa në njërën anë kolonizohet një pjesë e qytetit, nuk u lejohet pronarëve të ligjshëm, qytetarëve të atij qyteti të kthehen në pronat e veta”.
Edhe ministri aktual i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, më 2021 ka deklaruar se ndërtimet e kryera në lagjen “Lugina e Diellit”, janë të jashtëligjshme.
KOHA e ka pyetur Ministrinë që drejton Aliu se çka ka ndërmarrë gjatë këtyre 3 vjetëve, përkitazi me këtë lagje, por kanë munguar përgjigjet.
Për ish-banorët e “Kroit të Vitakut” është e papranueshme që Serbia të ndërtojë jashtëligjshëm shtëpi për sistemim të serbëve, përfshirë edhe serbë që nuk kanë jetuar kurrë më parë në Kosovë, e institucionet e Kosovës të mos mund t’i kthejnë shqiptarët në pronat e veta, 25 vjet pas luftës.
“Në vend që t’i ndërtojnë shqiptarët shtëpitë e kallta që u dogjën, kanë ndërtuar serbët. Kanë ardhur prej Serbie dhe kanë ndërtuar ndërtesa. Jo shpi, por ndërtesa”, ankohet Istrefi, i cili shpreh edhe një shpresë: “ Edhe pse i kam bërë 74 vjet, po shpresoj që ka me ma mbërri ymri me u kthy në shtëpitë tona”./koha.net/