Egzon Bytyqi i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në fshatin Kërvasëri të Malishevës, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi dyshohet se ka plagosur edhe veten.
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla për Telegrafin ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e 26-vjeçarit vazhdon të jetë e njëjtë.
“Lidhur me rastin e raportuar më datë 24 gusht 2026 në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e pacientit, 26-vjeçar, vazhdon të jetë e njëjtë. Pacienti është duke marrë trajtim mjekësor dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e stafit shëndetësor në Qendrën Emergjente të QKUK-së”, ka thënë Qyqalla.
Ndryshe, një rast tragjik ka ndodhur të dielën, e 23 gushtit në orët e vona të mbrëmjes në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri.
Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj, i cili ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë e kritike për jetën. /Telegrafi