Një muaj nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ për qeset e plastikës, qytetarët tashmë kanë filluar të paguajnë nga 5 deri në 10 cent për një qese.
Derisa ekspertët e mjedisit dhe disa qytetarë, e kanë mirëpritur këtë vendim, një pjesë e këtyre të fundit, thonë se në Kosovë ende nuk janë kushtet e jetesës sa për të paguar qese.
Një pjesë e bizneseve po e implementojnë vendimin e Ministrisë së Mjedisit për qeset e disa jo. Megjithatë, të gjithë inkurajohen nga ekspertët e çështjeve mjedisore, duke e konsideruar si hap të duhur në të mirë të ambientit dhe me kosto të përballueshme.
Qytetarja Safete Shala, e cila ishte duke hyrë në një market në Prishtinë, ka thënë për KosovaPress, se vendimi për shitjen e qeseve është vetëdijesim për të mos ndotur ambientin, derisa theksoi se pagat në Kosovë janë shumë të ulëta për të blerë edhe një qese.
“Valla më mirë me qenë vendi mirë, i kursen qeset mbeturinat e rrugëve, është shumë mirë e paguar. Si plotëson kushtet për me shit qeset, se kemi paga shumë të vogla dhe nuk i plotëson kushtet”, tha Shala.
Po ashtu, Nexhdet Kastrati ka thënë se ndotja e ambientit varet nga qytetarët dhe zgjidhja e kësaj situate e kërkon shitjen e qeseve.
Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për KosovaPress, thotë se forma më e mirë për shitjen qeseve do të ishte rimbursimi në rast të kthimit të ambalazheve.
“Do të ishte mirë që brengosjen për mjedisin të bartim të gjithë së bashku, një pjesë prodhuesi, një pjesë qytetari dhe të gjitha të marrim pjesë në mbrojtjen e mjedisit në raport me qeset dhe me ambalazhet tjera, në atë mënyrë që ne të marrim pjesë në pagesë, por ajo pagesë të jetë pagesë avanci por që të na kthehet në moment që ne t’i kthejmë ambalazhet dhe kështu ne drejtpërdrejt do t’i kontribuonim pastrimit, mjedisit të pastër, me aq sa edhe e kemi ndot deri më tani, por ky 5 centësh nuk garanton që ne do të kthejmë qesen, nuk garanton që mjedisi do të pastrohet”, tha Kaçaniku.
Njohësi i mjedisit, Agron Bektashi, vendimin për shitjen e qeseve të plastikës po e cilëson si hap të duhur për mjedisin. Ai ka thënë se të gjitha bizneset duhet të fillojnë me shitjen e qeseve.
Kurse, Visar Shehu, këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, ka treguar edhe rregullat për të cilat bizneset duhet të i përmbahen gjatë shitjes së qeseve.
“Sipas udhëzimit administrativ, janë disa lloje të qeseve plastike, i bie që deri 25 mikronë qeset që janë të holla njëpërdorimshme, ato janë të ndaluar tërësisht. Qeset plastike 25 deri 50 mikronë, kjo është qese e cila nuk mund të këtë logo dhe në të njëjtën kohë duhet të bëhet me pagesë, dhe kategoria e tretë mbi 50 mikronë, ato nuk ka nevojë për pagesë, sepse janë shumë përdorimshme dhe të trasha dhe nuk janë të dëmshme për ambientin. Po ashtu, edhe një kategori tjetër të çfarëdo lloj mikroni, por që nuk kanë doreza, ato përdoren për mbajtje të pemëve dhe perimeve dhe ato nuk paguhen”, tha Shehu.
Shehu ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të fillojnë edhe me monitorimi te bizneset.
Ai tha se bizneset të cilët nuk i përmbahen udhëzimit administrativ për shitjen e qeseve sipas rregullores, do të gjobiten nga inspektorati tregut.
“Udhëzimi administrativ i ka paraparë edhe pjesën e inspektoratit, përkatësisht të gjobave për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ. Qëllimi ynë nuk është gjobitja, por nëse vërehet që nuk do të zbatohet ky udhëzim administrativ, natyrisht nga inspektorati tregut do të merren masa”, tha Shehu./KSP