Nga shkurti 2025 qytetarët e Kosovës do të mund të blejnë barna me çmime më të ulëta, por edhe të njëjta në të gjitha barnatoret që operojnë në vend. Kjo po ndodh pasi gjatë kësaj jave nga Ministria e Shëndetësisë është nënshkruar lista finale e çmimeve të produkteve medicinale, e cila i hap rrugë implementimit së ligjit për unifikimin e çmimit të medikamenteve.
Ndonëse këtë ligj e mirëpresin, farmacistët po konsiderojnë se kjo listë disa produkte që kanë qenë me çmime më të ulëta, i ka rritur ato, por edhe disa barna me çmime të larta e ka ulur koston e tyre.
Ligjit që parasheh rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat është miratuar në korrik të vitit të kaluar.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për KosovaPress thotë se me listën e re të çmimeve të barnave qytetarët do të blejnë barna më të lira.
Vitia thotë se ligji për unifikimin e çmimit të barnave parashihet të ketë dy filtra në mënyrë që çmimet të jenë të përballueshme.
“Nga data 1 shkurt me këtë listë qytetarët do të mund të blejnë barnat me çmime të unifikuara në të gjitha barnatoret, por edhe me çmime më të lira. Ky ligj parasheh që të ketë dy filtra në mënyrë që çmimet të jenë të përballueshme për qytetarët, filtri i parë nënkupton çmimet mesatare të vendeve referente me një ekonomi pak a shumë si Kosova, dhe e dyta është një marzhë e caktuar apo një tavan i vendosur nga çmimi i importit CIP Prishtina. Të gjitha produktet që vijnë në Kosovë me të gjitha shpenzimet e rrugës, transportit me të gjitha shpenzimet tjera nga momenti kur dalin në treg kanë një marzhë 7.05%me shumicë për depot farmaceutike, dhe kjo marzhë pastaj vazhdon nga 10 deri 20% për barnatoret që nënkupton që do të ketë ulje te disa më pak, te disa mesatarisht, kurse te disa lloje të barnave ulje drastike të barnave nëpër barnatore. Çmime të unifikuara dhe natyrisht që kjo është lajm i mirë për qytetarët e Republikës, sepse do të kursehet në mënyrë substanciale xhepi i tyre”, shprehet ministri Vitia.
Oda e Farmacistëve të Kosovës ndonëse e mbështesin zbatimin e ligjit për unifikimin e barnave dhe pajisjeve medicinale, shprehen se vendimi i fundit nga MSH-ja është i pa realizueshëm nëse nuk bëhen disa ndryshime.
Zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha thotë se lista e re e çmimeve të barnave nuk ka ulje drastike siç po proklamon MSH-ja.
“Periudha për shkarkimin e stokut të Barnavederi më datën 1 shkurt 2025, ashtu siç e përcakton paragrafi 2 i vendimit është periudhë shumë e shkurtër dhe rrezikon në mënyrë direkte mbylljen e barnatoreve. Pastaj, pika tjetër detyrimi për t’i vendosur çmimet vetë barnatoret është në kundërshtim me rregullativat ligjore në fuqi, sepse kompetente për vendosjen e banderolave janë Agjencioni për Produktete dhe Pajisje Medicinale dhe vendosjen e tyre importuesi… Lista ka pasur edhe ulje, por ka pasur edhe ngritje të çmimeve, mirëpo jo ulje drastike siç e ka prezantuar Ministria e Shëndetësisë. Oda e Farmacistëve përkrah fuqishëm implementimin e çmimit të barnave, mirëpo kërkon që të ndërmerren hapa shtesë për implementim pas me këtë formë të vendimit mendojmë se është i parealizueshëm”, thotë Haxhijaha.
Farmacistët të cilët direkt i prek ky ligj shprehen të lumtur që më në fund në Kosovë do të vlerësohet puna e farmacistit.
Farmacistja nga Prishtina, Njomza Ramshaj-Haliti për KosovaPress thotë se me listën e re të çmimit të barnave, kostoja e disa produkteve mjekësore është ulur e disa është rritur.
“Jemi më të lumturit prej të gjithëve për shkak të nivelimit të çmimeve, kjo ka me qenë shumë e mirë, së pari për neve farmacistëve e dyta e mirë edhe për popullatën. Pacienti nuk do të vrapojë nëpër qytet ku po e gjen produktin më të lirë, pacienti do të vendosë ku po e merr shërbimin më të mirë nga cili farmacist ngase çmimi do të jetë i njëjtë. Mirëpo, disa çmime në bazë të listës janë më të shtrenjta se sa që kanë qenë, ndërsa tek disa produkte ka rënie të çmimeve. Nuk mund saktësisht cilat, listat janë dalë dhe mendoj se tashmë pacientët i kanë parë listat dhe e dinë që ka dallime në çmime”, shprehet ajo.
Gjatë muajit maj të këtij viti ishte publikuar lista preliminare e çmimit të produkteve medicinale, por më pas ishte anuluar me arsyetimin se ka pasur rritje të çmimit të 100 barnave. Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë kishte nxjerrë një udhëzim administrative për unifikim të çmimit të barnave, por që nuk u zbatua asnjëherë./KP