Vjosa Osmani e synon njërin prej dy posteve kryesore si pjesë e bashkëpunimit eventual me Lëvizjen Vetëvendosje. Atë të presidentes së shtetit apo postin e kryetares së Kuvendit edhe për një mandat tjetër. Mbështetur në informatat që ka siguruar KOHA, ndarja e posteve është ngritur në diskutime joformale, por me synimin që pas shpalljes së zgjedhjeve të marrin formë zyrtare.
Në Vetëvendosje nuk e kanë mohuar as pohuar nëse ka pasur diskutime të tilla. Vetëm kanë përsëritur gatishmërinë për t’u prezantuar bashkë me Osmanin në zgjedhjet e reja, data e të cilave nuk është caktuar ende.
“Bashkëpunimi me zonjën Osmani është vlerë e shtuar dhe bashkë me të ne besojmë që do të jemi shumica e ardhshme parlamentare. Ne jemi në kontakt me zonjën Osmani dhe kurdo që do të dakordohet përfundimisht forma e bashkëpunimit, ajo do të bëhet e ditur me kohë bashkë me detajet e tjera. Pra, e rëndësishme është që ekzistojnë vullneti dhe disponimi që ai të ndodhë, kurse modaliteti i bashkëpunimit më pastaj është çështje e diskutimeve dypalëshe që u nënshtrohen vullnetit të mirë dhe synimeve të përbashkëta”, ka thënë zëdhënësi i VV-s, Përparim Kryeziu.
I pyetur nëse synojnë ndonjë partneritet edhe me subjekte të tjera, Kryeziu ka shtuar se bashkëpunojnë me forca politike për të cilat kanë preferencë të hapur. Por, sipas tij, një gjë e tillë me subjektet e tjera as që zë vend në diskutimet e brendshme.
“Lëvizja Vetëvendosje do të dalë edhe e para, por edhe do të jetë shumicë parlamentare për ta formuar qeverinë. Në këtë drejtim Lëvizja mund të bashkëpunojë me forca politike për të cilat ka preferencë të hapur, sikurse me zonjën Osmani, por një gjë e tillë me subjektet e tjera as që zë vend në diskutimet tona të brendshme”, ka theksuar ai.
“Lëvizja Vetëvendosje tashmë është subjekti më i madh në vend, jo vetëm sepse është e para në raport me subjektet e tjera, siç ka qenë edhe në dy palë zgjedhjet e fundit, por, sepse kësaj here është shumë më përpara se të gjitha subjektet e tjera. Koalicionet deri më sot janë bërë ose që të fitohet gara elektorale, ose që pas zgjedhjeve të mund të formohet qeveria”, ka thënë Kryeziu. Sipas tij, në këto zgjedhje as njëra e as tjetra nuk do të jenë të diskutueshme.
KOHA nuk ka arritur të marrë edhe një qëndrim prej kabinetit të Osmanit në lidhje me diskutimet rreth posteve.
Të dielën Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku kryetari Albin Kurti tha se pret që lista e tyre t’i nxjerrë 65 deputetë në legjislaturën e ardhshme. Ai ka përmendur edhe kohën kur Vjosa Osmani ishte vënë në krye të Kuvendit, duke e quajtur fat të mirë që e kishte zëvendësuar Glauk Konjufcën.
Por KOHA merr vesh se nuk ka pasur ndonjë diskutim përfundimtar brenda organeve të VV-së rreth modalitetit të bashkëpunimit me Osmanin.
“Fat i mirë është se Osmani nuk ishte servile, por ishte dinjitoze dhe i përket atij grupi të LDK-së që vendosi ta mbajë fjalën që u dhanë votuesve”, ka thënë Kurti.
Osmani, e cila ndau rrugët me LDK-në pasi kjo e fundit e përjashtoi nga pozitat në parti, ka paralajmëruar krijimin e një liste, por që nuk janë zbardhur ende detajet.
Në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi, ushtruesja e detyrës së presidentes ende nuk e ka shpallur as datën e zgjedhjeve.
Edhe pse tri postet kryesore pas zgjedhjeve mbesin të lira, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon ta promovojë Ramush Haradinajn për president të vendit. Të tjerat garën do ta zhvillojnë për kryeministër. Partia Demokratike e ka kandiduar Enver Hoxhajn, kurse VV-ja e LDK-ja ende nuk e kanë zyrtarizuar pretendentin për kryeministër.
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se ende nuk e di nëse ai do të jetë kandidat i LDK-së për të parin e Qeverisë.
“Nuk mund të them se jam unë pasi ende jemi duke zhvilluar biseda brenda LDK-së. Kemi procedura të brendshme. E mira e LDK-së është që brenda ka disa emra, secili më i mirë se tjetri, që mund t’i prijnë kësaj gare”, ka thënë Hoti. Pavarësisht kandidatit, ai e ka përsëritur se janë favorit për t’i fituar këto zgjedhje.
Derisa Qeveria dhe kryetari i Kuvendit zgjidhen më shumicën e votave të të gjithë deputetëve, sipas Kushtetutës edhe presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.
Pas certifikimit të rezultateve, së pari duhet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit, më pas të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Nëse ushtruesja e detyrës së presidentes ka ende mandat, pjesa e mbetur i kalon kryeparlamentarit të ri, në mënyrë që të procedohet me zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit.
Sipas Kushtetutës, “posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”. Vjosa Osmani e ka marrë detyrën më 5 nëntor, ditën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.