Kombëtarja e Kosovës në futboll, nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ do të ndeshet me Rumaninë në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën e Kombeve.
Trajneri i Dardanëve Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi në konferencën për media, janë shprehur optimist se Kombëtarja jonë do ta nis me fitore edicionit e ri në Ligën e Kombeve.
Foda thotë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për sfidat e këtij sezoni në Ligën e Kombeve.
“Në radhë të parë siç e kam thënë edhe me herët miqësoret kanë përfunduar, nuk kemi kohë më provu dhe tash kemi shumë më shumë alternativa”, ka thënë Foda.
“Jemi përgatitur intensivisht që t’i fitojmë lojërat e ardhshme në Ligën e Kombeve”, ka theksuar ai.
Foda ka folur edhe për Elvis Rexhbeçajn, i cili për herë të parë nesër do të vesh fanellën e Kombëtares së Kosovës.
“Elvisi është një lojtar mesfushor, atë mund ta përdorim në pozicione të ndryshme. Është një lojtar agresive dhe do t’i sjell ekipit shumë të mira”, ka pohuar Foda.
Ai thotë se Rumani ka skuadër cilësorë, por strategu gjerman beson se Kosova do të marrë pikët e plota në duel me rumunët.
“Rumania është skuadër e fortë, kanë bërë paraqitje të mirë në Evropian, por besoj se ne jemi përgatitur mirë që ta fitojmë këtë ndeshje”, ka theksuar Foda.
Optimist për fitoren e Kosovës në duel me Rumaninë është shprehur edhe ylli i Dardanëve, Vedat Muriqi.
Muriqi, i cili e ka nisur mjaft mirë sezonin në La Liga me Mallorca, thotë se Kosova është përgatitur mjaft mirë për duelin me rumunët.
“Kemi shumë vite që luamë bashkë me Edonin, Milotin për momentin jemi në top formë, kemi një ekip shumë të mirë dhe besoj se jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj se do të fitojmë nesër. Do të japim maksimumin dhe besoj se nesër Kosova do ta shoh lojën tonë”, ka thënë Muriqi.
Ai thotë se konkurrenca në repartin e sulmit është e fortë dhe mjaft e mirë pas ardhjes se disa lojtarëve të rinj.
“Besoj se prej që është krijuar si kombëtare konkurrenca është e fortë. Nuk e ndjej veten keq edhe pse tash jam si ‘plak’ pasi kam 30 vjet. Kemi ekipin shumë të mirë në sulm pamarrë parasysh se kush luan dhe nuk kemi asnjë problem sepse edhe këta lojtarët që kanë ardhur janë shumë të mirë”, ka theksuar Muriqi.
Muriqi thotë se fitorja e mundshme e nesërme do të ishte shumë e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës.
“Tashmë jemi në një fazë ku do të mundohem t’i largohemi dështimeve. Fitorja nesër do të ishte shumë e rëndësishme për ne”, ka pohuar ai.
Ndeshja Kosova-Rumania fillon në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.