Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar historik rezultatin e Koalicionit Shqiptar në Luginën e Preshevës, i cili siguroi dy mandate në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se koalicioni mori 27 mijë e 670 vota, duke e cilësuar këtë rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000.
“Në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni shqiptar mori 27 mijë e 670 vota. Ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1 233 vota më shumë sesa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen e 35 koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37 mijë e 353 votave. Shqiptarët janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet së bashku me hungarezët”, potencoi Kurti.





