Në kuadër të gërmimeve dhe ekshumimeve në një lokacion të dyshuar në Zubin Potok, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore që, sipas vlerësimit preliminar, dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas institucioneve, identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet kompetente, do të vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale lidhur me rastin.
Në kuadër të këtij rasti po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre të dyshuarit ndodhen në paraburgim.
Institucionet kanë deklaruar se procesi do të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.