Studiuesja amerikane Janet Reineck ka shkruar një libër me kujtime të jetës së saj në Kosovë në vitet 1980 dhe 1990 – një botë për të cilën ajo thotë se është zhdukur me një shpejtësi kaq të habitshme sa të shtrojë pyetje të rëndësishme për të ardhmen e identitetit të Kosovës.Janet Reineck, 68 vjeçare, viset rurale të Kosovës i njeh si pëllëmbën e dorës. Në vitet e 80-ta, kishte ardhur si antropologe në trevat shqiptare, por ishte bërë anëtare e familjeve në treva të ndryshme të vendit.
Atëkohë, një amerikane u bë arsyeja që shumë gra ndoqën për herë të parë kurse shëndetësore dhe shoqëria pan se çfarë do të thotë emancipimi i gruas. Ajo gjithashtu ndihmoi shumë fëmijë të mësojnë anglisht.Atëkohë, Kosova për 26 vjeçaren kishte qenë një vend i panjohur në hartë. Rastësisht në vitin 1980 në Zagreb të Kroacisë kishte dëgjuar muzikën shqipe, melos, që kishte bërë që zonat rurale të Kosovës të jenë vende studimi për temën e masterit dhe më pas për tezën e doktoraturës.
“Përgjatë viteve që kam qëndruar në Kosovë, nuk kam vërejtur ndryshime tek vetja. Por, përgjatë viteve kam vërejtur ndryshime thellësore në mendjen, trupin dhe identitetin tim. Krejt identiteti im ka ndryshuar gjatë viteve sa kam qëndruar me shqiptarë,” rrëfeu 68 vjeçarja në një intervistë për Prishtina Insight.
Antropologia amerikan duke kërcyer një valle tradicionale shqiptare. Foto nga arkiva e Janet Reineck.
Qëndrimi me familjet shqiptare në Prishtinë, Viti, Has, Gollak, Opojë dhe Rugovë mes viteve 1981 dhe 1997, e më pas kthimi për ndihma humanitare, bëri që Reineck, përveç mësimit të zakoneve dhe traditave shqiptare, të ndryshojë botëkuptimin e saj.Për të mbajtur në kujtesën kolektive këtë mënyrë të jetesës së një populli të pushtuar me shekuj dhe që pas lirisë rrezikon të humbasë disa nga vlerat e saj unike, Reineck në gusht botoi në shqip një kujtim “Një amerikane në Kosovë”. Libri përmban udhëpërshkrime dhe fotografi të jetës së studiueses në Kosovë.
Traditat e Opojës: vajzat duke luajtur def, një instrument muzikor që përdoret në dasma dhe festa të tjera. Foto nga arkiva e Janet Reineck.
Xhenet(a) nën petkun e gruas shqiptare. Gjatë viteve që janet qëndroi në Kosovë për kërkime shkencore, ajo jetoi në familje të gjera tradicionale, kërcente me vajzat e fshatit, hante flinë me dorën e djathtë ulur në sofra (tavolinë tradicionale), ulej këmbëkryq në oda (dhomat e burrave), flinte në shilte (jastëk), ruante sekretet e vajzave të fshatit dhe këndonte në dasma tradicionale.
Fillimisht Reineck erdhi në Kosovë për të kryer hulumtime për Master në Etnologjinë e Valleve në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles ishte i fokusuar në vallet dhe zakonet e Kosovës rurale, duke përfshirë Hasin, Rugovën dhe Gollakun, me fokus traditën e pasur të Opojës me këngët dhe vallet e saj të grave dhe ciklin e 11 valleve të burrave, Kellçoja.
Foto nga arkiva e Janet Reineck.
Ndërsa, teza e doktoraturës në Antropologji në Universitetin e Kalifornisë në Berkley ishte fokusuar në migrimin gjinor dhe ideologjinë e shqiptarëve ndër vite. Më vonë në vitet e 90-ta, Reineck ishte kthyer në Kosovë për të drejtuar projekte të ndihmës humanitare për Oxfam dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.Në një formë ose në tjetrën, Reineck në Kosovë ishte një figurë emancipimi për familjet shqiptare. Atëkohë si 26 vjeçare, antropologia e pa eksperiencë në një tokë të pushtuar nga Jugosllavia, nuk ishte në dijeni se si është të jetosh e kufizuar nga armiku dhe nga rregullat shoqërore, e sidomos kur je grua.
Marrë parasysh gjendjen politike dhe rregullat shoqërore, ajo thotë që procesi i kuptimit të jetës së grave shqiptare ishte shumë i ngadalshëm.“Në atë kohë Kosovë kam hasur caktimin shumë strikt, që vajzat dhe gratë jetojnë në këtë mënyrë, dhe burrat në një mënyrë tjetër. Në një anë më është dukur bukur, por ngadalë dale kam kuptuar se çfarë vështirësish po kalojnë gratë shqiptare të kufizuara, sa mos me guxu me dalë as prej oborrit,” tregon ajo.Përgjatë viteve, Reineck e ka kuptuar se çfarë do të thotë të jesh nuse në Kosovë – jetë që prej jashtë duke shumë e bukur, me rituale përreth, por që në brendësi e sheh që jeta e nuses varet nga mënyra se si kalon si kalon me familjen e burrit dhe me të gjithë familjen e madhe.
“Kjo jetë mundet të jetë e bukur për nusen se ka shoqëri gjithmonë, nuk është e vetmuar kurrë, gjithmonë me shoqëri me nuse, me gra. Por nusja po vjen në derë të huaj, kuptohet pa askënd prej familjes së saj. Vajzat e reja e dinë prej kur lindin se do të duhet të pajtohen me fatin e tyre,” thotë ajo.Pasi që kishte fituar bursën për studim në Kosovë, në mes të viteve 80, ajo ishte kthyer përsëri në Kosovë. Por ndryshe prej herës së kaluar tash ishte pajisur me një veturë për të udhëtuar më lehtë nëpër zona të thella, ndryshe prej herës së parë që kishte udhëtuar me autobus.Ndryshe prej Amerikës, në Kosovë ajo kishte hasë një botë krejt tjetër, ku gjinitë kanë role shumë të përcaktuara në shoqëri.
Aq të caktuara, sa që kur Janet kishte vozitur veturë për të bërë studime nga një fshat në tjetrin, gratë e fshatrave ishin mahnitur aq sa ishin çuditur.“Kur kam marrë veturën, ka qenë ndryshim i madh, se kam qenë më e lirë me lëvizë dhe kam pasur mundësinë të depërtoj nëpër fshatra. Gratë që ecnin në këmbë nëpër Opojë i kam marrë me veturë, se ato asnjëherë nuk kanë hypë në veturë më parë e as nuk kanë parë një grua duke vozitur. Ka qenë shumë interesant,” tregon ajo.Më pas në vitet e 90-ta, edhe pse gjendja politike kishte qenë shumë e tensionuar politikisht Reineck kishte ardhur në Kosovë për të drejtuar projekte të ndihmës humanitare.Pavarësisht kësaj, Reineck kishte marrë djalin e saj katër vjeçar me vete dhe mandat kishte pasur vetëm për të rregulluar bunare, pastruar shkolla dhe gjëra tjera sanitare. Misionet tjera ishin të ndaluara rreptësisht.
Por pavarësisht ndalesave, vullnetarja së bashku me aktivistë të tjerë kishin rregulluar shkolla, kishin dhënë mësim dhe kishin themeluar një shoqatë të grave.“Kemi mbledhur gra nëpër fshatra që të ndjekin kurse shëndetësore çdo dy javë. Të gjitha këto gjëra i kemi bërë pa lejen e Serbisë. Pastaj kemi nisë (të avokojmë) edhe nëpër familje kur kemi marrë vesh që vajzat nuk po shkojnë në shkollë të mesme. Përpos në Viti kemi depërtuar edhe në Gjilan. Ka qenë rrezik shumë, por në fund ka qenë shumë sukses që jemi munduar në atë kohë,” thotë ajo.
Kurset shëndetësore në të cilat kanë marrë pjesë gratë. Foto nga arkiva e Janet Reineck.
Përvuajtja kolektive që ia ndërroi botëkuptiminReineck thotë se jeta me shqiptarët i ndryshoi perceptimin e saj për jetën dhe se tani ndihet vazhdimisht e përkushtuar për të ndihmuar të varfrit. Ajo është drejtuese e ëorld Dance for Humanity, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Santa Barbara, CA, që ofron klasa ditore të vallëzimit nga e gjithë bota, përfshirë edhe vallëzimet shqiptare. Të ardhurat nga kursi shkojnë për projektet në Ruanda, ku organizata po ndihmon mbi 12,000 të mbijetuar të gjenocidit në 28 komunitete.“Edhe te njerëzit në vitet e 80-ta, por edhe në vitet e 90-ta kur kam ardhë për ndihma humanitare kam parë shumë vuajtje personale e vuajtje të familjes që nuk i kam përjetuar më përpara. Ajo gjendje më i ka hapur sytë që njerëzit në tjera vende të botës vuajnë shumë, dhe ne duhet me qenë shumë falenderues që mundemi të jetojmë, me pas shëndet të mirë edhe mundemi të bëjmë diçka për këtë botë,” shprehet Reineck.
Foto nga arkiva e Janet Reineck.
Përpos muzikës, gjërat që më së shumti i kanë lënë përshtypje një amerikaneje të re ne një vend të huaj ka qenë mikëpritja, relievi, fjalët unike, ngrohtësia familjare, mënyra e jetesës dhe pastërtia.Pas largimit nga Kosova, Reineck ka qenë në Kosovë vetëm njëherë në vitin 2002 dhe në vitin 2022, por gjuhën shqipe dhe lidhjet me Kosovën nuk i ka harruar, përkundrazi gjuhën shqipe të pastandardizuar e flet shumë mirë.
“Gjithmonë kam menduar për Kosovën dhe e kam mbajtur thellë në zemër, por nuk kam pas mundësi të bëjë diçka. Por edhe e kam ditë që nuk kanë nevojë në Kosovë më për mua. Në Afrikë kanë nevojë për mua,” thotë ajo.Në vendet tjera të Ballkanit, ajo thotë që kishte parë njerëz dëfrehen me alkool në festa, ndërsa në Kosovë kishte parë njerëz që festonin duke mbajtur kontrollin e vetes, dhe që atmosferën e bënin vetëm me një def.
“Te muzika shqiptare më ka pëlqyer melodia, ritmi, melosi. Unë e njoh mirë muzikën e Ballkanit. Por diçka më interesante në Kosovë, më bukur, edhe këndimin e çikave me def, shumë gjallë edhe shumë bukur. Në atë kohë shqiptarëve nuk i duhet ndonjë radio, vetëm def me këndu edhe me vallëzu. Në çdo rast kanë pas mundësi të organizojnë festa veç me def,” tregon Reineck, rrëfim që e ka ndarë edhe në librin e saj.
Një vend i çliruar por edhe i tjetërsuarMbas 20 vitesh, Reineck erdhi përsëri në Kosovë, por pa një vend të tjetërsuar nga ai që kishte parë herën e fundit. Teza e saj e doktoraturës në vitet e 80-ta, “E kaluara si strehë: “Migrimi gjinor dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës”, nuk qëndron më.Reineck thotë se Kosova është tjetërsuar, ashpër, shpejt dhe në mënyrë të egër, kështu që duhen bërë studime dhe krahasime me vendet e tjera që janë tjetërsuar në mënyrë të ngjashme, për të theksuar se si një shoqëri mund të ndryshojë kaq shumë pas fitimit të lirisë.
Foto: Komuna e Prishtinës
Për tezën e saj, antropologia kishte kërkuar faktorët e migrimit në zonat rurale si Opoja, por tash ka parë një Kosovë të boshatisur nga rinia që po migron jashtë vendit edhe pse në liri.Reineck befasohet se si aq shpejtë janë ndërruar rolet gjinore, janë zvogëluar familjet, qytetet janë mbushur përplotë ndërtesa dhe janë hapur shumë biznese.“Kosova krejtësisht ka ndryshuar, veç mikëpritja nuk ka ndryshuar asnjë ‘grimë’. Ka tjera shoqëri që krenohen me mikëpritjen e tyre, por është shumë interesant dhe është simbol i madh që pavarësisht që gjithçka kanë përjetuar shqiptarët, por mikëpritja nuk ka ndryshuar asnjë ‘grimë’,” konsideron antropologia.Reineck u befasua gjithashtu kur pa kaq shumë shtëpi madhështore të ndërtuara nga diaspora, të cilët vijnë vetëm gjatë verës për të jetuar në to.
Numri i madh i të rinjve që kanë emigruar nuk do të kthehen më në Kosovë, frikësohet ajo. Një transformim i tillë i shoqërisë po e “tremb” atë, që të mos zhduket identiteti i shqiptarëve.“Pse duhet një investim aq i madh kur familjet kanë me ardhë veç verës? Unë nuk besoj që rinia do të kthehet që të jetoj në Kosovë, të paktën jo shumica. Ky problem shoqëror është shumë i komplikuar. Krejt kanë dashtë të shkojnë jashtë Kosovës, krejt po dojnë të shkojnë, krejt po shkojnë, veç çka bëhet me Kosovën atëherë?” pyet Reineck, duke dashtë të hapë një debat publik për këtë çështje. Ritualet, adetet për të cilat ka shkruar në studim, antropologia thotë që pothuajse shumica janë zhdukur. Reineck thotë që ky transformim i shpejtë ngritë shumë pyetje ekzsitenciale për të ardhmen që ka shumë dallim nga e kaluara.
“Ka shumë gjëra tjera në jetë që kanë më shumë rëndësi për ekzistencën. Por është një moment ekzistencial: çka do të thotë të jesh shqiptare, kush është identiteti yt dhe çfarë rëndësie ka kjo? Në qoftë se dëshiron të jetosh si në Perëndim, çfarë doni të mbani si simbol të identitetit të fortë,” shtron pyetje ajo.Kush do të kujdeset për prindërit nëse shkojnë të gjithë jashtë dhe një fëmijë nuk rrinë me prindër, kush do të mbes në Kosovë, a do të kujdesen vajzat apo djemtë për prindërit e moshuar, a duhet të racionalizohen ndërtimet apo njerëzit po kënaqen me to, çfarë do të thotë martesa tash? Këto pyetje për shqiptarët, studiuesja i konsideron ekzistenciale për të ardhmen e individëve, familjeve, të shqiptarëve dhe të gjithë vendit. Sipas saj, faktori kryesor që mund të ketë ndikuar në këtë tjetërsim është euforia e lirisë pas sundimit shumëvjeçar nga Serbia, pretendim për të cilin antropologia mendon që duhet të bëhen studime të thella.
“Shqiptarët janë zhvilluar shumë shpejt, çfarë energjie, çfarë entuziazmi prej euforisë, dijes dhe aftësisë. Shqiptarët janë shumë të gjindshëm, shkojnë në një shtet tjetër edhe gjinden,” thotë Reineck.Shnosh është fjala që i ka mbetur në mendje studiueses së jetës në Kosovë. Në këtë fjalë, ajo sheh filozofi të thellë se si të gërshetosh shumë gjëra që dhënë shpresë në një fjalë të vetme e cila përdoret si për mërzi, ashtu edhe për gëzime.Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.