Panairi më i madh i ndërtimtarisë në Zvicër, që mbahet çdo dy vjet. Tetë prodhues kosovarë prezantuan denjësisht cilësinë e ofertës së tyre për tregun evropian.
Swissbau ka qenë gjithmonë një pikë takimi e njohur për vendimmarrësit dhe profesionistët, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Zvicra dhe rajonet menjëherë përtej kufirit, njofton albinfo.ch.
Prodhimet nga përpunimi i drurit të tetë kompanive nga Kosova, nga data 03 deri 06 maj 2022 do të promovohen në Panairin “Swissbau Compact 2022” që do të mbahet në Basel të Zvicrës.
Vlen të theksohet se ky panair është një mundësi e mirë për kompanitë kosovare që krahas promovimit të produkteve, të njihen me trendët e industrisë ndërkombëtare dhe të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me kompani të jashtme, me synim të rritjes së eksportit.
Ndërkohë, në shtandin e Kosovës në Exhibition Hall 1.0 në Basel do të ekspozohen: karrige, tavolina, orendi shtëpiake, enterier, kuzhina, shkallë të brendshme, shtëpia montuese, dyer dhe dritare etj.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje respektive të rrjetëzimit & panairit do të jenë edhe anëtarët e kompanisë nga OEZK, të cilët janë edhe udhëheqës në përpunimin e metalit & drurit në Republikën e Kosovës.
Pas mbylljes se panairit, më 07.05.2022, duke filluar nga ora 18:00, në Basel do të organizohet “Prezantimi i Hapësirave të reja të ruajtjes së artikujve ushqimorë kosovarë në Zvicër”. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë ndërmarrje të shumta nga Diaspora, Zvicra dhe Kosova, ku do të zhvillojnë takime B2B. Ky aktivitet është i iniciuar nga projekti USAID Kosovo Compete.
Zvicra mbetet një ndër partnerët kryesorë të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare. /Albinfo.ch






