Pas shumë qyteteve të tjera evropiane, në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është protestuar sot edhe në Bruksel. Protesta është zhvilluar në sheshin Schuman, pjesën e qytetit ku ndodhen institucionet kryesore të Bashkimit Evropian dhe selia e Komisionit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian.
Protestuesit kanë bërë thirrje që të respektohet lufta e drejtë e popullit të Kosovës për liri dhe të mos njolloset Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mbrojti popullatën civile në Kosovë. Po ashtu, kanë kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ndërmarrje të bashkuar kriminale.
Folësit në këtë protestë kanë rikujtuar se shumë popuj evropianë kishin luftuar për lirinë e tyre dhe lufta e tyre mbrojtëse nuk ishte kriminalizuar asnjëherë. Prandaj, bëjnë ftesë që kjo t’i njihet edhe popullit të Kosovës, ndërsa të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale të kenë një gjykim të drejtë.





