Donatorët mund të preken nga sëmundjet e transmetueshme nëpërmjet gjakut dhe moti ekstrem, ndërkohë që kërkesa për gjak mund të rritet, sipas një studimi të ri.
Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në zinxhirin e furnizimit dhe kërkesës për transfuzionet e gjakut. Kështu ka zbuluar një studimi i ri të cilën e raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit nga Red Cross Lifeblood dhe Universiteti i Sunshine Coast (UniSC) në Australi besojnë se sëmundjet e transmetueshme nëpërmjet gjakut si dhe fatkeqësitë natyrore ka të ngjarë të prishin modelet aktuale.
“Përveç kufizimit të lëvizshmërisë së një numri të madh njerëzish, këto ngjarje ndërpresin ruajtjen, sigurinë dhe transportin e gjakut, i cili ka një jetëgjatësi të shkurtër,” tha Dr. Elvina Viennet, një nga studiueset që qëndron pas këtij studimi, në një deklaratë.
Çdo vit, 25 milionë njësi gjaku përdoren për transfuzion në Europë. Ato nevojiten për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, foshnjave të lindura para kohe, viktimave të aksidenteve dhe pacientëve me sëmundje kronike.
“Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në disa sëmundje infektive që transmetohen përmes gjakut dhe mund të pengojnë njerëzit të dhurojnë,” shtoi Viennet, duke përmendur përhapjen e mundshme të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat si ethet Dengue, Virusi i Nilit Perëndimor dhe Malaria, për shkak të reshjeve më të mëdha dhe temperaturave më të larta.
Temperaturat në rritje po e bëjnë më të zakonshme paraqitjen e këtyre sëmundjeve në Europë, veçanërisht ethet dengue.
Gjithashtu, kushte të tjera të lidhura me ndryshimet klimatike, si “moti ekstrem, përfshirë temperaturat e larta, ekspozimin ndaj të ftohtit dhe luhatjet e tjera klimatike”, mund ta ngushtojnë grupin e personave të mundshëm për të dhuruar gjak, sipas studimit të publikuar në revistën “The Lancet Planetary Health”.
Këto ndryshime klimatike mund të ndikojnë në përqendrimin e hemoglobinës, numrin e qelizave të kuqe të gjakut dhe tensionin e gjakut. /Gazeta Shneta/