LAJME

Ndërron roje ura që simbolizonte ndarjen dhe bashkimin

Ndërron roje ura që simbolizonte ndarjen dhe bashkimin
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Gusht 2026, 10:53

Si simbol i ndarjes dhe bashkimit për Mitrovicën është përshkruar gjithmonë ura kryesore mbi lumin Ibër. Më të fuqishme këtë përshtypje, në aspektin e sigurisë, e bënte fakti se ajo ruhej nga forcat e KFOR-it dhe EULEX-it që 27 vjet, si misione paqeruajtëse në Kosovë.

Urën që e shoqëruan barrikadat e trazirat, do ta ruajë Policia e Kosovës pasi KFOR-i ka filluar zvogëlimin gradual të trupave “bazuar në parashikimin e situatës së sigurisë”.

Por, si ka rrjedhë e gjithë ngjarja?

Çdo tension në Kosovë, përjetohej më rëndë në Urën e Ibrit.

Kur ura e Ibrit u bllokua në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë. Pas luftës, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

Ndarja e Mitrovicës në dy komuna u parashikua edhe me planin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Pastaj, Trazirat e Marsit..

Një nga momentet më të rënda të pasluftës ndodhi në atë që njihet si Trazirat e Marsit, në mars të vitit 2004. Protestat që nisën më 17 mars u shndërruan në dhunë të gjerë ndëretnike në Kosovë.

Por në Mitrovicë, zona pranë Urës së Ibrit ishte një nga pikat kryesore të përshkallëzimit. Protesta filloi pranë urës pas raportimeve për mbytjen e fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër. Trazirat e marsit rezultuan në 19 civilë të vrarë në Kosovë dhe mbi 900 të plagosur.

Kjo ngjarje e forcoi edhe më shumë perceptimin e Urës së Ibrit si një pikë jashtëzakonisht e ndjeshme.

Barrikadat e 2011-ës

Viti 2011 ishte një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Urës së Ibrit. Në korrik të atij viti, banorët serbë vendosën barrikada në urë dhe në lokacione të tjera në veri të Kosovës.

Barrikadat u vendosën në kuadër të kundërshtimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e autoritetit në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikada në Urën e Ibrit qëndroi për vite dhe u bë një simbol i rezistencës së strukturave lokale serbe ndaj institucioneve të Kosovës.

“Parku i Paqes”

Në vitin 2014, pas disa vitesh barrikadash, struktura që bllokonte urën u zëvendësua me të ashtuquajturin “Parku i Paqes”. Ideja ishte që hapësira të transformohej dhe të largohej gradualisht karakteri i saj i një pike konfrontimi.

Megjithatë, ndryshimi nuk e zgjidhi problemin. Ura vazhdon edhe sot e asaj dite të mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe statusi i saj vazhdoi të ishte pjesë e diskutimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ura ende e mbyllur për automjete

Në vitin 2018, pavarësisht premtimeve dhe projekteve për rivitalizimin e saj, Ura e Ibrit vazhdonte të ishte e mbyllur për qarkullimin e automjeteve. Punimet e nisura në vitin 2016 ende nuk kishin sjellë hapjen e plotë të urës.

Vendimi për hapjen e urës

Në prill të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës mori vendim për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve. Qeveria e Kosovës e mbështeti vendimin, duke u bazuar në parimin e lirisë së lëvizjes.

Megjithatë, Bashkimi Evropian si gjithomën, deklaroi se nuk ishte koha e përshtatshme për hapjen e urës. Për këtë arsye, vendimi nuk u zbatua menjëherë.

Rikthimi i tensioneve

Në vitin 2024, Ura e Ibrit u kthye përsëri në qendër të vëmendjes politike dhe të sigurisë. Qeveria e Kosovës intensifikoi përpjekjet për hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.

Në gusht u kryen edhe teste të qëndrueshmërisë së urës me kamionë të peshave të rënda. Këto veprime u përcollën me protesta dhe shqetësime nga komuniteti serb.

Në të njëjtën kohë, KFOR-i, BE-ja dhe vendet e QUINT-it shprehën shqetësim për hapjen e urës pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë. BE-ja argumentoi se çështja e urës ishte pjesë e marrëveshjeve të dialogut të viteve 2015 dhe 2016 dhe se vendimi duhej të trajtohej në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Në këtë periudhë, ura u ruajt me prani të KFOR-it dhe u shtuan masat e sigurisë përreth saj. 

Megjithatë, misioni i KFOR-it në Kosovë dy vjet më vonë vendosi ta bëjë tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, duke u bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, u tha mes tjerash në njoftimin për këtë çështje./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika