Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë njoftuar se mbrëmë, rreth orës 23:20, në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë i paraburgosuri K.K.
Sipas njoftimit, i paraburgosuri K.K, po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku gjatë ditës së djeshme, kishte shfaqur disa çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.
Në njoftim thuhet se ai është trajtuar gjatë ditës nga personeli shëndetësor, mirëpo gjendja e tij shëndetësore nuk kishte shënuar përmirësim.
Me qëllim të realizimit të një konsultimi specialistik, mjeku kujdestar ka kërkuar që i burgosuri të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë në QKUK.
“Fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ndërsa më pas, rreth orës 18:00, ai është transferuar në QKUK. Pas pranimit në QKUK, kanë filluar menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi i tij nga stafi mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.
ShKK dhe DShB theksojnë se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.