Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë kërkuar formim të shpejtë të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Ata kanë thënë se është e nevojshme që Kosova të ketë institucione për të adresuar përgjegjësitë e reformave në procesin euro-integrues si dhe zbatimin e zotimeve në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka thënë se iu duhet një partner në pushtetin ekzekutiv që të flasin për hapat e radhës sesi të afrohet Kosova më pranë Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se për të ecur përpara iu duhet një bashkëpunim i mirë dhe i ngushtë me autoritetet e Kosovës, derisa ka theksuar se masat ndaj Kosovës kanë filluar gradualisht të hiqen. Orav ka porositur Kosovën që të “mos shikojë gjithmonë se çfarë bën Serbia, por t’i bëjë detyrat e veta”, kur ka komentuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Na duhet edhe një partner në pushtetin ekzekutiv. Na duhet një partner me të cilin mund të flasim për hapat e radhës sesi të afrohemi më pranë BE-së. Shpresojmë që qeveria do të formohet sa më shpejtë. Mbyllja e institucioneve në veri, përsëri BE-ja e ka bërë qëndrimin e vet të qartë, privatisht, zyrtarisht dhe publikisht… Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas ditë më parë shpalli se do të kemi heqjen graduale të masave ndaj Kosovës dhe kjo heqje ka filluar. Mirëpo për të ecur përpara na duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet në Kosovë. Një temë që të gjithë flasim por nuk është aq e preferuar nga politikanët në Kosovë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i BE-së është i qartë se ai duhet të themelohet dhe është më mirë të bëhet sa më shpejt që të ecim përpara”, ka thënë ai gjatë diskutimit në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, të organizuar të mërkurën nga Instituti PIPS dhe FOL.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se qytetarët në Kosovë janë të “frustruar dhe irrituar politikisht me ngërçin politik të krijuar”. Ai ka përmendur se nesër do jetë vazhdimi i seancës për herë të 23-të për konstituimin e Kuvendit, derisa pyeti se çfarë imazhi është ky në sytë e tyre.
“Njerëzit janë të frustruar dhe irrituar politikisht. Nesër do të kemi seancën e 23-të. Çfarë imazhi është ky në sytë tanë? Nuk dua të hyj. Daniela ka përmendur dje, por të gjithë ne bëjmë thirrje në mënyrën tonë. Mirëpo në fund të fundit detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjnë politikanët. Kemi pasur përfaqësues të lartë të BE-së, Costa dhe Kallas dhe mesazhet ishin të qarta bëni detyrat e shtëpisë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, duke paraqitur nevojën e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka adresuar dy mesazhe. Ai ka thënë se Kosova nuk është e izoluar, përveç siç u shpreh ai “nëse izolon vetveten duke mos i dëgjuar miqtë dhe gjetur arsye dhe shkase për mosrespektim të zotimeve të ndërmarra në procesin e dialogut”. Guerot po ashtu u shpreh se draftstatuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është një Republika Sërpska.
“I kam dy mesazhe të thjeshta. Mesazhi i parë është që Kosova nuk është e izoluar përveç nëse e izoloni vetveten. QUINT ka mbështetur Kosovën vite me radhë dhe kohëve të fundit kam lexuar këshillën tonë ligjore në GJND duke shpjeguar pse Franca e ka mbështetur Kosovën historikisht. Nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është një ishull por është në mes të rajonit… Ju nuk jeni të izoluar përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkase të ndryshme duke mos respektuar zotimet e ndërmarra. Po e përsërisë thirrjen e Jorn, dëgjoni miqtë tuaj”, ka thënë ai.
Thirrje për formim të institucioneve të reja në Kosovë bëri edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karim Boven.
“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, ka thënë ajo.
Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi deputetët nuk po mbështesin kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të formohet një komision për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Para këtij propozimi, në disa seanca emri i Albulena Haxhiut nuk mori 61 votat e kërkuara për kryeparlamentare. Të enjten do të mbahet seanca e 23-të për konstituim. Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm./koha.net/