Mes shumë vërejtjeve dhe kritikave, më 17 nëntor, deputetët e aprovuan në lexim të parë projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
Megjithëse për vitin e ardhshëm është shënuar një rritje prej 646 milionë eurosh krahasuar me 2022, ajo që më së shumti u kritikua është ndarja e një pjesë të këtij buxheti për tri komunat që i udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.
Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023 dhe në këtë analizë vërehet se Qeveria e Kosovës në projektligjin për buxhetin i ka favorizuar tri komunat të cilat i udhëheq Lëvizja Vetëvendosje dhe ato janë Komuna e Podujevës, e Gjilanit dhe ajo e Shtimes.
“Nga 199.3 milionë euro të projekteve të reja, rreth 26 për qind (51.2 milionë euro) janë të alokuara për nivelin qendror dhe pjesa tjetër (148.1 milionë euro) për nivelin lokal. Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike komuna. Rreth 52 për qind e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9 për qind të territorit dhe 8 për qind të popullsisë”.
Klan Kosova i ka kontaktuar dy ekonomisë për t’i pyetur se si e komentojnë ata këtë ndarje të buxhetit dhe se të dy ata kanë theksuar se ndarja e buxhetit të Kosovës nuk duhet të bëhet me ngjyrime partiake.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë se kjo mënyrë e ndarjes së buxhetit është praktikë e krijuar që nga paslufta.
“Vlerësoj që ky veprim i qeverisë për ndarje të buxhetit për komunat që i drejton nuk është korrekt sepse ndarja duhet të bëhet në bazë të buxhetit që komunat krijojnë në arkën e shtetit, por për fat jo të mirë kjo është një praktikë që nga paslufta. Ky buxhet nuk është buxhet investiv, pra nuk është premtues për faktin se një herë duhet investimi dhe pastaj duhet të konsiderohen politikat tjera si ato sociale, të sigurisë dhe të tjerat. Duhet së pari të investohet në mënyrë që të krijohen të hyra dhe pastaj të mendohet për politikat shëndetësore, sociale dhe të sigurisë”.
“Opozita është shumë normale me kritiku projektligjin për buxhetin 2023, por opozita nuk ka as fuqi numrash dhe as fuqi morale. Pra ata të cilët flasin në emër të opozitës janë njerëzit me më së paku kredibilitet dhe për fat jo të mirë kjo është në favor të Qeverisë Kurti”.
“Nëse flasim për rritjen e buxhetit, duhet ta marrim në parim si diçka të mirë sepse kemi rritje të buxhetit nga viti në vit. Por kjo rritje ka qenë që nga pas lufta dhe jo vetëm në këtë qeveri (duke përjashtuar vitet e pandemisë)”.
I pyetur rreth iniciativës së qeverisë që të gjitha të hyrat vetanake të komunave të mbledhura para vitit 2022 dhe që janë të pashpenzuara, të barten e të përdoren nga qeveria për nevoja të ndryshme, Kadriaj vlerëson se përderisa infrastruktura dhe mirëqenia sociale është në nivel jo të kënaqshëm, është e pakuptimte që të teprojnë paratë.
“Këtu qeveria për fat jo të mirë mund të manipulojë me buxhetin e komunave ku mungon qeverisja dhe mund t’i dëmtojë ata kryetarë që nuk tregojnë performancë qeverisjeje. Por, çdo buxhet suficit, në fund të vitit duhet të kthehet në thesarin e shtetit dhe kjo duhet të merret si performancë e dobët e kryetarit të komunës së caktuar. Përderisa infrastruktura dhe mirëqenia sociale është në nivel jo të kënaqshëm, është e pakuptimte që të teprojnë paratë”.
Po ashtu edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ndarja e buxhetit nuk do të duhej të bëhej mbi baza partiake.
“Në rend të parë, duhet të kuptohet që Kosova nuk ka eufori për ekzagjerim të buxhetit kinse buxheti më i madh në histori kur dihet fare mirë që një buxhet i tillë prej 3 miliardë e afro 200 milionë eurove është shumë më tepër produkt i inflacionit dhe i krizës globale sesa që është performancë e ATK-së apo Doganës së Kosovës”.
“Në rend të dytë, nuk mund të jetë ky një buxhet zhvillimor kur dihet që 20 për qind është shkalla e inflacionit në Kosovë dhe vetë fakti që kohëve të fundit është një mungesë enorme e dialogut dhe partneriteti publiko-privat. Në veçanti, është një mungesë e komunikimit me asociacionin e komunave që është përfaqësues legjitim i komunave shumicë në Kosovës – kjo vërtetë është brenga më e madhe”.
“Duhet të kuptohet që nëse në vitin e kaluar ka kushtuar diçka 100 euro, këtë vit është 200 euro dhe po shihet sa është ngritur kostoja e implementimit të projekteve të ndryshme kapitale. Kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti tjetër që në vitin 2022 janë shfrytëzuar vetëm afro 10 për qind të mjeteve të dedikuara për investime kapitale në Kosovë – është brenga më e madhe”.
Sipas tij, buxheti duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse dhe nuk duhet të ketë ngjyrë dhe konotacion politik dhe në këtë drejtim cilado komunë e udhëhequr nga cilado parti politike është e Kosovës dhe nuk duhet të ketë qasje selektive.
“Është e vërtetë se kemi deklarata për favorizimin e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, por në përgjithësi duhet të behët më tepër që vërtetë komunat të kenë pavarësi, të kenë menaxhim të financave, sundim të rendit dhe ligjit dhe transparencë. Duhet të kuptohet që mbi interesat e partisë politike, janë interesat e shtetit dhe të shqiptarëve dhe në këtë drejtim besoj se duhet të tregojmë maturi, por kjo maturi vjen në shprehje vetëm përmes një debati të mirëfilltë me asociacionin e komunave dhe me akterët relevantë në nivel komunal”.
“Nuk duhet të pritet që ky buxhet do të sjellë mrekulli. Është e vërtetë se ka orientime rritëse në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë, por duhet të kuptohet që 3.2 milionë euro nuk janë para të gatshme – ato janë projeksione që duhet të grumbullohen dhe gjithmonë duhet ta kemi një alternative rezervë – çka nëse ato nuk grumbullohen?”.
Pavarësisht reagimeve të shumta, ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar./Klankosova.tv/.