Udhëzimi administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës, i cili ka hyrë në fuqi që nga data 29 shtator të këtij viti ka për qëllim nxitjen e riciklimit dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë e mjedisit në vend.
Kështu ka thënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili thekson se ky udhëzim do të ndalojë prodhimin e qeseve dhe importin e tyre, ndërsa për qeset me pesha të lehta të cilat përdoren për perime nuk do të ndalohen, por pesha e qeseve dhe dizajni i tyre do të jete ndryshe siç ka qenë.
Në diskutimin e mbajtur sot (e mërkurë) me përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Qeverinë Gjermane, u tha se Udhëzimi administrativ parasheh që qeset e plastikës me peshë nga 25 deri 50 mikron do të kenë tarifa për pagesa, por nuk do të kenë logo të bizneseve.





