Sonte ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare, mjeku i mirënjohur prof. dr. Sejdullah Hoxha.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë publik përmes një përkujtimi mortor në rrjete sociale familjarë të tij.
“Me dhimbje e pikëllim të thellë lajmërojmë farefisin, miqtë, shokët dhe dashamirët se me datë 06/03/2021 ka ndërruar jetë, bashkëshorti, babai, vëllau dhe gjyshi ynë i dashur dhe i paharruar
Prof. Dr. SEJDULLAH HOXHA
Varrimi i të ndjerit bëhet në rrethin familjar, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan). Për shkak të pandemisë me virusin Covid 19 nuk mbahet e pamja.
Të pikëlluarit,Familja Hoxha”, thuhet në njoftimin mortor.
Prof. Dr. Sejdullah Hoxha, ka lindur me dt. 03.02.1948, në Zhur, Prizren. Shkollën e Mesme të Mjekësisë e kreu në Prizren, kurse studimet në Fakultetin e Mjekësisë i kreu pranë Universitetit të Prishtinës. Pas diplomimit të tij në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, zgjodhi që Specializimin të përfundoj në Gjinekologji – Obstetrik, duke filluar pranë Spitalit në Prizren (1977) dhe më pas në Kliniken Gjinekologjike dhe Obstetrike në Prishtinë (1979).
Specializimin për Gjinekologji dhe Obstetrike I përfundoi në vitin 1983 në Universitetin e Shkupit.Në vitin 1990, Prof. Dr. Sejdullah Hoxha, zgjedhet Kryeshef i Repartit të Lehonave. Gjatë vitit 1983-2000 punësohet si Asistent mësimor për lënden Gjinekologji – Obstetrike deri në vitin 2001. Studimet pas universitare i kreu në Institutin Kombëtar të Shëndetit publik në Sarajevë. Në vitin2000 përfundoi Doktoraturën në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Gjatë karrierës së tij, Prof. Dr. Sejdullah Hoxha, themeloi ordinancën e tij GYNEPRIZ në Prizren. Me gjithë bagazhin e tij në fushën e Gjinekologjisë, në vitin 1996-1999 punoi si drejtor i maternitetit “Nëna Terezë”, në Prishtinë, duke kryer me sukses afër 14,000 lindje dhe mbi1,000 ndërhyrje operative nga Obstetrika dhe Gjinekologjia.
Nga viti 1999-2005, punoi si Drejtor i KOGJ-ke të QKUK dhe Kryeshef i Repartit të Operativës, ku brenda vitit janë kryer mbi 4,000 ndërhyrje operative.Në vitin 2006 ishte anëtar i bordit të QKUK-së, ndërsa në vitin 2007 ishte UD I Bordit të QKUK-së.
Prof. Dr. Sejdullah Hoxha, ka qenë kryetar nderi i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës. Gjithashtu, gjatë gjithë karrierës së tij profesionale dhe akademike, morri pjesë në shumë tubime, konferenca, simpoziume të ndryshme profesionale – shkencore brenda dhe jashtë vendit, duke u bërë gjithashtu edhe autor i më shumë se 50 punimeve të ndryshme në revista profesionale/shkencore.