Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe publikimin e materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë edhe dokumentin e cilësuar në publik si “Top Secret”.
Në një deklaratë publike, Tërnava ka thënë se i ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit, duke theksuar se pretendimet e bëra publike prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturën e bashkëjetesës në vend.
Sipas tij, prej kohësh ndaj besimit islam, trashëgimisë dhe rolit të Bashkësisë Islame të Kosovës është zhvilluar nga individë, grupe dhe shoqata të caktuara një diskurs mohues dhe denigrues, i cili, siç ka thënë ai, në raste të caktuara është paraqitur në emër të një interpretimi të caktuar të shqiptarizmit dhe të “kthimit te rrënjët e të parëve”.
Tërnava ka theksuar se në Republikën e Kosovës besimi është i lirë dhe se çdo individ e komunitet ka të drejtë ta jetojë dhe shprehë bindjen e tij fetare.
“Liria e besimit dhe e shprehjes nuk mund të përdoret për të mohuar besimin e tjetrit, për të denigruar një komunitet fetar apo për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare të qytetarëve për shkak të bindjeve të tyre fetare”, ka deklaruar Myftiu.
Duke iu referuar dokumentit “Top Secret”, Tërnava ka kërkuar nga qytetarët, institucionet kompetente, Prokuroria Speciale dhe organet profesionale që çdo pretendim i paraqitur në publik të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale.
Ai ka kërkuar që, nëse dokumenti ekziston dhe është autentik, të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues.
Sipas asaj që është bërë publike, në dokument Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”.
Tërnava i ka cilësuar këto “pretendime jashtëzakonisht të rënda”, duke kërkuar që ato të mos trajtohen si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivel të interpretimeve apo deklarimeve publike.
“Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, ka thënë ai.
Myftiu ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të paverifikuara.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër BIK-ut, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
“Nuk kërkojmë trajtim të veçantë dhe as mbrojtje nga përgjegjësia institucionale. Kërkojmë vetëm që përballë nesh të qëndrojnë faktet dhe provat dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë”, është shprehur Tërnava.
Ai ka bërë të ditur se BIK-u nuk kërkon përplasje me askënd dhe nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në një konflikt politik, fetar apo shoqëror.
“Ne kërkojmë që ajo të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave të ligjshme”, ka deklaruar ai.
Tërnava ka kërkuar edhe ndaljen e fushatave dhe gjuhës që, sipas tij, synojnë të njollosin Bashkësinë Islame të Kosovës, institucionet e saj, xhamitë, medresetë, hoxhallarët dhe udhëheqësit e saj.
Në deklaratë, Myftiu ka rikujtuar se Kosova është ndërtuar edhe mbi traditën e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve të saj, duke theksuar se dallimet fetare nuk duhet të shndërrohen në burim përçarjeje.
“Kjo deklaratë nuk është thirrje për përplasje. Është thirrje për të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale”, ka thënë Tërnava.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që çështjen ta trajtojnë me seriozitet dhe përgjegjësi, duke garantuar një proces profesional, të paanshëm dhe të bazuar në fakte.
Sipas tij, është e domosdoshme të zbardhet plotësisht autorësia dhe origjina e dokumentit, rrethanat dhe qëllimi i hartimit të tij, autenticiteti, mënyra e përdorimit dhe ndikimi që mund të ketë pasur në zhvillimet shoqërore e institucionale në Kosovë.
“Le të ndahen faktet nga pretendimet dhe le të mbajë përgjegjësi secili për veprimet e veta. Ajo që kërkojmë është e thjeshtë: e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të bëjë punën e saj”, ka përfunduar Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.