Që prej vërshimeve në disa komuna të Kosovës, janarin e këtij viti, më nuk ka pasur të reshura të shiut, thotë për Gazetën Express Mehdi Bresilla, fermer – i cili alarmon se thatësia mund të ndikojë në mungesë të ujit të pijshëm.
Në “KRU Prishtina” thonë se tani për tani ka sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm, por problemet me furnizim mund tw shfaqen.
“Fillimisht ju njoftojmë me gjendjen e liqeneve akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badoci, me ç’rast nivelin e ujit në Batllavë tashmë veq e kemi në kuotën maksimale të kapërderdhjes, derisa liqenin e Badocit ende e kemi -6.58 m nën nivelin maksdimal të kapërderdhjes”, ka thënë zëdhënësja Arjeta Mjekiqi.
“Mungesa e reshjeve atmosferike për një kohë të gjatë normalisht se mund të ndikojë edhe në nivelet aktuale të ujit në liqenet akumuluese, për periudhat e ardhshme”, ka shtuar Mjekiqi.
Ajo e ka edhe një këshillë për konsumatorët e këtij rrjeti të ujit.
“Këshilla jonë për konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi publik i ujësjellësit të Prishtinës është shpenzimi racional i ujit, jo vetëm në natyrë, por edhe në objekte shtëpiake, në mënyrë që t’i ruajmë këto rezerva që kemi edhe në periudhat e ardhshme”, ka deklaruar Mjeku për Gazetën Express.
E mungesa potenciale e ujit rrezikun e ka të pasojë në mungesë të theksuar të produkteve bujqësore.
Bresilla thotë se më së shumti reshura të shiut kanë nevojë pemët dhe perimet.
“Bimët që kërkojnë sasi të madhe të ujitjeve sidomos pemët dhe perimet shumë ka me pas ndikim në rënie të rendimentit për këto produkte”, ka paralajmëruar ai.
Megjithatë, nëse thatësia vazhdon atëherë mund të ketë probleme edhe me grurë.
“Drithërat dhe gruri kanë nevojë për më pak ujitje, por nëse vazhdon kjo situatë atëherë probleme do të ketë edhe me këto produkte”, ka thënë ai.
Çdo subjekt përfshirë edhe shtetin kur e bën SWOT Analizën rezulton se ndikimet natyrore inkuadrohen tek kërcënimet, në këtë rast Bresilla thotë se “shteti s’ka ndikim”.
Por ai kërkon që të mbështeten tendat që ndihmojnë rritjen artificiale të produkteve bujqësore.
“Kjo mënyrë kërkon më pak ujitje dhe duhet të praktikohet më shumë”, thotë ai.
Kosova nuk i mbulon nevojat e veta për produktet bujqësore.
Rreth 400 mijë tonë të grurit i nevojiten Kosovës për të mbuluar nevojat e brendshme të produkteve që rrjedhin prej grurit.
Kosova s’e prodhon këtë sasi, rrjedhimisht ka varësi nga importi, këtë e thonë të dhënat e Doganës së Kosovës.
Vendi që Kosova importon më së shumti grurë është Serbia. Për shkak të krizës globale të grurit, ky shtet në muajin mars e kishte pezulluar eksportin e disa produkteve të grurit – duke shkaktuar panikë edhe në Kosovë se mund të ketë mungesë po të këtij produkti.
Sipas Doganës, gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.
Po ashtu në vitin 2019, janë importuar rreth 92,769 Ton pemë dhe perime të freskëta, të cilat janë të deklaruara me vlerën prej mbi 38 milionë euro.
Importi i pemëve përmbrenda kësaj sasie merr pjesë me 39% ndërsa me vlerë merr pjesë me 34% të vlerës së përgjithshme.
Mungesa e produkteve e rrit nevojën për më shumë import
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2021 sasia e importeve arriti në vlerën mbi 4 miliardë e 684 milionë euro, e në anën tjetër eksportet ishin mbi 775 milionë. Krahasuar me vitin paraprak, importet ishin rreth 3 miliardë e 300 milionë euro, ndërkaq eksportet afër 475 milionë.
Siç tregoi fermeri Bresilla përballja me thatësinë mund të rezultojë me mungesë produktesh.
E ekziston rreziku që një realitet i këtillë ta rris edhe më shumë prezencën e produkteve të huaja në tregun kosovar.