Rikthimi i Teatrit “Bekim Fehmiu” në skenën brenda Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” është shtyrë përkohësisht.
Në fakt repriza e paralajmëruar e shfaqjes “Ping-Pong dhe Dashuri” për datën 27 nëntor 2024, sipas njoftimit të këtij teatri, është anuluar për shkak të mungesës së ngrohjes.
“Ju kërkojmë ndjesë për këtë situatë dhe mirëkuptimin tuaj. Do t’ju informojmë me kohë për datat dhe oraret e radhës të shfaqjeve tona”, thuhej në njoftimin e Teatrit të qytetit të publikuar të mërkurën pasdite, raporton Telegrafi.
Autoritetet komunale të Prizrenit të martën patën përuruar ndërtesën e rinovuar të Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” që njëherësh është edhe selia e Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”.
Në këtë ceremoni ata patën theksuar se tani janë krijuar kushte më të mira për punën e Teatrit dhe artistëve tjerë.
Por krijuesit nga Prizreni janë ankuar se salla kryesore e kësaj ndërtese nuk është ngrohur as për koncertin festiv të ShKA “Agimit”, raporton Telegrafi.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, ka deklaruar se sistemi i ngrohjes në Shtëpinë e Kulturës është funksional.
“Mirëpo në rastin konkret, ka pasur telashe, shkaku i problemeve teknike lidhur me lëshimin e ngrohjes për sallën e madhe, dhe kjo sallë nuk është ngrohur. Duke qenë se është kaluar nga një standard i ulët, në një standard më të lartë janë hasur në vështirësi. Por, stafi përkatës do të trajnohet lidhur me mënyrën e operimit të ngrohjes, në mënyrë që mos të kemi telashe në këtë drejtim”, ka thënë Morina për Telegrafin.
Projekti i rinovimit të Shtëpisë së Kulturës në Prizren kap vlerën prej një milion eurove. Punimet patën nisur në mes të vitit 2022 dhe kanë përfunduar me 26 nëntor 2024. /Telegrafi/