Qeveria e Kosovës është lënë fajtore për mosftesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje në Samitin e Demokracisë, që do të mbahet në fillim të muajit dhjetor. Shoqëria civile e opozita kanë thënë se një çështje e tillë pasqyron marrëdhëniet që Kosova ka me Amerikën, derisa kanë kërkuar llogari nga krerët e institucioneve. E të shtunën, as Qeveria e as Zyra e Presidentes Vjosa Osmani, nuk kanë pranuar të deklarohen.
Qeveria e Kosovës e Zyra e Presidentes kanë zgjedhur të heshtin karshi mosftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci.
Këtë të shtunë, asnjëra nga këto institucione nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë çështje.
E nga krerët e këtyre institucioneve kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar sqarime analisti Agon Maliqi.
Nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, Maliqi ka thënë se Kurti e Osmani duhet të sqarojnë se pse Kosova nuk është ftuar në njërën prej nismave kryesore të SHBA-së për t’iu kundërvënë kërcënimit prej regjimeve autoritare, si Kina dhe Rusia.
“Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të na sqarojnë se përse në njërën prej nismave kryesore të SHBA për t’iu kundërvënë kërcënimit prej regjimeve autoritare si Kina dhe Rusia, aleati ynë kryesor nuk e fton Kosovën? Si është e mundur që SHBA-ja na sheh në Evropë si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh antiperëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin dhe Erdoganin? Jam i bindur se nuk duhet të ketë qenë e lehtë për SHBA-në për t’ia bërë këtë gjë shtetit të cilin kanë ndihmuar ta krijojnë. Kështu që këtu duhet të jetë një problem shumë i madh për të cilin liderët tanë duhet t’i kenë marrë sinjalet prej kohësh, sepse kjo shuplakë nuk vjen si vërejtja e parë. Ky kategorizim i Kosovës nuk mund të jetë i ndërlidhur me demokracinë e brendshme, ku jemi më mirë se rajoni, por me politikën e jashtme dhe të sigurisë. E përbashkëta e këtyre liderëve autoritarë të përmendur më sipër është se janë liderë të cilët jo vetëm që nuk e kanë politikën e jashtme të përputhur me SHBA-në, por aktivisht luftojnë kundër interesave të saj dhe të sigurisë evropiane. Çka po lyp Kosova në këtë grup?”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se mungesa e ftesës e reflekton gjendjen në të cilën janë marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën.
“Besoj se mungesa e ftesës reflekton gjendjen në të cilën janë marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në. Shpresoj shumë se nuk do të përsëritet situata sikur në muajt e parë të vitit 2020, kur praktikisht ishin ngrirë komunikimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë. Kur e kam marrë detyrën në fillim të qershorit 2020, mua dhe ekipit tim na është dashur angazhim i madh për të kthyer besimin e Shtëpisë së Bardhë. Dhe pas tri javësh unë kam marrë ftesë për në Shtëpinë e Bardhë. Nëse situata degradon prapë, është e patolerueshme”, ka deklaruar Hoti.
Për këtë çështje ka reaguar edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Mosftesa për Kosovën nga Presidenti Biden në Samitin e Demokracive që mbahet në dhjetor, është kambanë zhurmuese për atë se si janë dëmtuar e degraduar këto raporte, nga papërgjegjësia politike dhe distopia kombëtare e qeverisë së mazhorancës së Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Ky “errësim” që shkëputë traditën e mirëfilltë që kemi ndërtuar deri më tani, është produkt i orvatjeve kryeneçe të kryeministrit me bekimin e presidentes, që SHBA-të i trajton në dioptrinë e tij ideologjike, kundër interesit dhe rezonit shtetëror të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
E për mosftesën e Kosovës në Samitin për Demokraci është kritikuar edhe presidenti amerikan Joe Biden.
Ish-emisari i SHBA-së, Richard Grenell, ka thënë se Bideni është duke përbuzur Kosovën dhe Serbinë me veprimin e bërë. Sipas Grenellit, ish-presidenti Donald Trump ka qenë ai që është kujdesur për njerëzit e Ballkanit.
Një ditë më parë, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, përmes një reagimi në “Facebook”, fajin për mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit, ua ka lënë qeverisjeve të kaluara.
Samiti i Demokracisë, i drejtuar nga presidenti Joe Biden, do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor, derisa pjesëmarrës përveç liderëve të qeverive do të jenë edhe shoqëria civile dhe sektori privat.