LAJME

Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet Komisionerin për Gjuhë në lidhje me shkrimin në tabelat në veri

Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet Komisionerin për Gjuhë në lidhje me shkrimin në tabelat në veri
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Mars 2024, 23:38

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka mbështetur Komisionerin për Gjuhë në lidhje me shkrimin në tabela të emrave të vendbanimeve në veri të Kosovës, të cilat kanë filluar të zëvendësohen në gjuhën shqipe dhe atë serbe, më 14.03.2024.

Zëvendësimi i këtyre tabelave është iniciativë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Davenport konsideron se hapat e zëvendësimit të këtyre tabelave duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e Komisonierit për Gjuhë.

Përveç tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog u ka bërë thirrje autoriteteve që procesi i zëvendësimit të tabelave të zbatohet pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhës.

“Ne në OSCE Kosova mbështesim Komisionerin për Gjuhë në Zyrën e Kryeministrit në përcaktimin e respektimit të përputhshmërisë gjuhësore sipas legjislacionit në fuqi. Hapat për të zëvendësuar shenjat që tregojnë emrat e vendeve në gjuhët zyrtare duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e tij”- ka shkruar Davenport, në platformën X.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë këtë konsultim me Komisionerin për Gjuhë, Slavisha Mladenoviq.

Mladenoviq ka thënë se ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe së shpejti do të kërkojë takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, në lidhje me këtë çështje.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika