LAJME

MINTI gjobit KEDS-in me 40 mijë euro për rastin me njehsorët elektrikë

MINTI gjobit KEDS-in me 40 mijë euro për rastin me njehsorët elektrikë
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Maj 2026, 10:04

Ministria e Infrastrukturës, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku u prezantua edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030.

Sipas njoftimit, përveç pikave të rendit të ditës, në këtë mbledhje, u prezantuan informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

“Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi. Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur tutje, Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bën të ditur tutje se gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

“Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar” – njofton MINTI.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika