Në kuadër të “Dialogut me Mërgatën”, ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministren kanë takuar një takim me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të mërgatës.
Gjatë bashkëbisedimit ministrja Gërvalla njoftoi bashkatdhetarët se dialogu i nisur i paraprin një strategjie të re, e cila do të reflektojë qasjen e re që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kjo ministri ka ndaj mërgatës dhe diasporës.
“Prioritet do të kemi ndër të tjera përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në konsullatat dhe ambasadat tona, institucionalizimin e kontakteve me partnerët tanë ndërkombëtarë në shërbim të nevojave të mërgatës sonë, hartimin dhe implementimin e strategjive në fushat e diplomacisë ekonomike dhe kulturore në shërbim të promovimit të potencialit ekonomik, turistik, kulturor dhe sportiv të vendit, transferin e dijes nga mërgata në Kosovë përmes identifikimit të potencialit dhe përfshirjes së mërgatës në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore”, ka thënë Gërvalla.





