Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, vjen me një rrëfim ndryshe rreth jetës së tij private dhe politike.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në një intervistë dhënë për lajmi.net, ka treguar më shumë rreth jetës së tij private dhe politike.
Në këtë intervistë, veç tjerash Abrashi, ka treguar shumë gjëra që pakkush mund t’i ketë ditur për të deri më tani.
Abrashi ka treguar për këshillat dhe kritikat që ia jep bashkëshortja, për ushqimin e tij të preferuar, se a i mungon apo jo jeta e natës nëpër kafene, por edhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë:
Lajmi.net: Si festohet Viti i Ri në familjen tuaj?
Abrashi: Tash edhe shkaku i pandemisë, duke qenë që duhet të jemi më të vëmendshëm, edhe festimi i ndërrimit të motmoteve ka kufizime e rregulla tjera, prandaj sivjet kemi një festë më të kufizuar dhe vetëm me rrethin e ngushtë familjar.
Lajmi.net: Cili është ushqimi që nuk mungon asnjëherë në tryezën e Vitit të Ri në familjen tuaj?
Abrashi: Ushqime të zakonshme si çdo familje e Kosovës. Unë personalisht preferoj ushqimet tradicionale.
Lajmi.net: Cili është ushqimi juaj më i preferuar? E kemi fjalën për ushqim tradicional.
Abrashi: Tek ushqimet tradicionale, pak si vështirë me bërë renditje, sepse të gjitha i preferoj, sidoqoftë aty ku nuk mund të rezistoj aspak janë produktet e bulmetit.
Lajmi.net: Më mirë zëdhënës i Qeverisë apo ministër?
Abrashi: S’kisha bërë ndonjë dallim, në dy pozitat kam punë me gazetarë. Kam bashkëpunim korrekt me gazetarë në të gjitha pozitat që i kam mbajtur, por nëse duhet vendosi, të qenit zëdhënës është paksa më e vështirë.
Lajmi.net: E dimë që i përkisni gjeneratës së re të politikanëve, sa është ministri Abrashi i dhënë pas mbrëmjeve, pas jetës së natës dhe a ju kanë munguar këto mbrëmje gjatë 2020-ës?
Abrashi: Na mungojnë nga pak, meqenëse pozita e ministrit ka limituar kohën shumë shkaku i angazhimeve, por edhe pandemia e ka bërë të veten. Shpresoj se me përfundimin e pandemisë, do t’i kthehemi jetës normale e miqve në përgjithësi.
Lajmi.net: Sa orë në ditë ia kushtoni fëmijëve tuaj?
Abrashi: Jo sa duhet shkaku i angazhimit, por provoj maksimalisht aq kohë sa kam të lirë t’ua kushtojë fëmijëve dhe familjes.
Lajmi.net: Sa ju ndihmojnë këshillat e bashkëshortes në punën tuaj dhe cila ka qenë këshilla e saj që ju ka hyrë më së shumti në punë deri më tani që prej kohës që jeni të martuar?
Abrashi: Këshilla nga bashkëshortja marr shpesh, e posaçërisht pas paraqitjeve televizive, ku ajo bënë një listë qoftë të vërejtjeve qoftë këshillave. Sidoqoftë, kisha përmend faktin që ajo vazhdimisht më kërkon të jem sa më pozitiv dhe mos t’i ngarkojë qytetarët edhe më shumë.
Lajmi.net: Cili ka qenë lapsusi juaj më i madh që keni bërë që prej kohës që jeni në politikë?. Lapsus që nuk e ka vërejtur askush, por që ju e dini se e keni bërë atë. Qoftë në protokoll apo diçka të ngjashme.
Abrashi: S’më kujtohet ndonjë rast.
Lajmi.net: Nëse do e kërkonte Kryesia e LDK-së që ju të kandidonit përsëri për të parin e Prishtinës, a do e sakrifikonit postin e ministrit për kryetarin e kryeqendrës së Kosovës?
Abrashi: Nuk e kisha thënë sakrificë, por organet e partisë janë ato që ta japin pozitën dhe besimin në aspektin e pozitave politike. Deri më tani nuk i kam kundërshtuar, dhe nuk do t’i kundërshtoj vendimet e organeve të partisë, çfarëdo qofshin ato.
Lajmi.net: Cili politikan kosovar mendon se i përafrohet idealit, qetësisë e urtësisë që kishte presidenti Rugova?
Abrashi: Nuk ka ende një person të dytë në skenën politike të Kosovës.
Lajmi.net: Cili është synimi juaj për vitin 2021?
Abrashi: Të bëjmë punë të mira për shoqërinë, pavarësisht në pozitën që ndodhem. E rëndësishme është që puna ime do të mbetet e fokusuar në lehtësimin e jetës së qytetarëve, të tjerat janë gjëra që i sjell koha.
Lajmi.net: Mesazhi juaj për të gjithë qytetarët për Vitin e Ri?
Abrashi: Të bëhemi më solidar me të tjerët, të kujdesemi për më të moshuarit e dashurit, e të kemi edhe pak durim se pandemisë po i vjen fundi. Kurse viti 2021 të jetë vit i dashurisë për vendin e njerëzit e saj.