Institucioni më i lartë kulturor në vend, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, numëron fiks 816 punonjës së bashku me institucionet vartëse. Aspiratat janë që të shtohen edhe 50 të tjerë. Nëpërmjet një tenderi të hapur që ka vlerë të parashikuar 1.3 milionë euro, MKRS-ja synon angazhimin e 50 vetave për tre vjet. Por sipas njohësve të kësaj fushe, tenderi shihet si problematik për disa arsye, përderisa cilësohet edhe sa për sy e faqe. Pos kësaj, kritikohet edhe hapja e tenderit në vit zgjedhur
Institucioni më i lartë kulturor në vend, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, numëron fiks 816 punonjës së bashku me institucionet vartëse. Aspiratat janë që të shtohen edhe 50 të tjerë. Nëpërmjet një tenderi të hapur që ka vlerë të parashikuar 1.3 milionë euro, MKRS-ja synon angazhimin e 50 vetave për tre vjet.
Në bazë të renditjes së pozitave dominojnë institucionet e trashëgimisë kulturore. Por lista prek zyrtarë administrativë, arkitektë, historianë arti, etnologë, konservues, skicografë, numizmatë numizmatikë , restauratorë, zyrtarë ligjorë, inxhinier gjeodetë historianë e deri te ciceronët.
Institucionet e trashëgimisë kulturore vazhdimisht janë ankuar për mungesë stafi. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur sa u përket këtyre angazhimeve që pretendon në tenderin që do të jetë i hapur për aplikues deri në ditën e 12-të të këtij muaji. MKRS-ja nuk është përgjigjur se përse synon të angazhojë punonjës për tre vjet nëpërmjet prokurimit dhe jo në mënyrë të rregullt e as për pyetjen se cila është nevoja e angazhimit të këtyre punonjësve për këtë institucion dhe ato varëse.
Përderisa MKRS-ja sikurse edhe për shumë tema të tjera nuk ka përgjigje, Diana Metushi-Krasniqi, që është udhëheqëse e projekteve për transparencë e prokurim publik në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se tashmë kontratat mbi vepër janë bartur brenda tenderimit. Sipas saj, thirrja e MKRS-së në këtë formë ka telashe.
“Nuk mund t’i fusësh edhe arkeologun edhe zyrtarin administrativ në të njëjtën kategori pasi nuk janë ashtu. Kjo është hajt ta bëjmë një zgjidhje të shpejtë sa për sy e faqe, duke mos u marrë me problemin në bazë. Duhet angazhim që arkeologu të jetë aty gjithmonë. Kombinimi i krejt pozitave e rrezikon që të dështojë tenderi”, ka thënë ajo. Sipas saj, në raste të tilla duhet gjetur zgjidhje afatgjatë. Ka përmendur edhe një tjetër telash.
“Politikisht nuk është korret pasi jemi thuajse në vit zgjedhor. Pasi ka pasur nevojë përse nuk ka nisur kjo procedurë para disa vjetëve”, ka thënë Metushi-Krasniqi.
Florent Mehmeti, regjisor e drejtor i teatrit “Oda”, ka thënë se në parim rritja e numrit të të punësuarave në administratë shtetërore llogaritet që do të ketë stagnim në ekonomi. Ka thënë se nuk i di saktë nevojat e MKRS-së dhe të institucioneve vartëse.
“Nganjëherë lista e pagave nuk korrespondon me punën në terren pasi nuk ka kush t’i kryejë punët. Administrata e Ministrisë së Kulturës është prej më jokompetenteve vazhdimisht. Angazhimi i punëtorëve të rinj duket si zgjidhje kreative”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës vazhdimisht ka pasur telashe për angazhim të punonjësve. Madje i ka rrezikuar duke i lënë pa mirëmbajtje e roja edhe lokalitete arkeologjike e Kalanë ku ka investuar miliona euro.
Në fund të vitit 2022 dhe në fillim të atij 2023 shteti kishte lënë pa rojë e mirëmbajtje edhe asete si lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, një pjesë Park Arkeologjik e Kalanë e Prizrenit. Në të dyja janë investuar më shumë se 2 milionë euro. Mirëmbajtja kishte ekzistuar të paktën 6 muaj. Arsyeja: mosvazhdimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta.
Edhe asokohe MKRS-ja kishte gjetur zgjidhje nëpërmjet procedurave të prokurimit.
“Aktualisht në procedurë të prokurimit është shpallur thirrja për plotësim të pozitave që mungojnë për disa institucione vartëse të MKRS-së, kurse pritet që të shpallen edhe pozitat e tjera që vlerësohen të nevojshme”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së. Po nëpërmjet këtyre procedurave edhe ishte bërë zgjidhja, prapë e përkohshme. Shumë institucione kishin mbetur në vullnet të ish të angazhuarve. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit punonjësit dilnin vullnetarisht. Njëjtë edhe te “Hidroelektrana” në Prizren. Madje në kompleksin e Lidhjes paraprakisht ishte investuar në restaurim e është duke u rikonceptuar edhe ekspozita. KOHA kishte marrë vesh se në përgjithësi qenë mbi 70 veta të cilëve nuk u janë vazhduar MSHV-të.
Asokohe KOHA, po ashtu, kishte raportuar se brenda MKRS-së ishte duke u diskutuar mundësia që të hapej thirrje e nëpërmjet një tenderi të angazhohej një kompani që do të merrte përsipër kujdesin ndaj këtyre institucioneve. Por në një rast të tillë telashet do të ishin të mëdha. Sidomos në Ulpianë, ku disa prej atyre që u janë marrë tokat me qira për gërmime janë punonjës po aty. Tash shteti e ka në procedurë shpronësimin e një pjesë të Ulpianës. Qeveria ka vendosur që të vazhdojë procedurën e shpronësimit për 21 hektarë të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizuar në Kosovë. Lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë. Kurse sa i përket lokalitet arkeologjik të Dresnikut, tashmë ka përfunduar kjo procedurë. Por s’ka zgjidhje për punonjës të rregullt. Po vazhdohet me prokurim./KOHA/