Kooperativa Bujqësore “Krusha”, më 17.12.2024, përmes një reagimi ka shprehur zhgënjimin në lidhje me refuzimin për marrjen e një granti nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci. Ky reagim erdhi pas raportimeve se vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, kishte përfituar 100 mijë euro grant në këtë thirrje.
Në një përgjigje për Kallxo.com, Ministria e Bujqësisë ka dhënë sqarime se përse ishte refuzuar kërkesa e Kooperativës Bujqësore ‘Krusha’ në thirrjen për grante të vitit 2023.
Sipas, Agjencisë për Zhvillim e Bujqësisë në kuadër të kësaj ministrie, thuhet se në në aplikim nuk është bashkangjitur edhe projekti ideor për investimin konkret si dhe nuk është përshkruar procesi teknologjik i prodhimit.
“Gjatë kontrollit administrativ të fermerit/es është konstatuar, se aplikuesja, Fahrije Hoti me biznesin “KB Krusha”, SH.P.K ka aplikuar me projektin “Blerja e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve”, dhe ndër investimet e kërkuara me implementim të këtij projekti, është investimi në Pajisjet për trajtimin e ujërave si objektiv në përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në përgjigjen e MBPZhR-së.
“Në rastin e aplikimit për menaxhimin e mbetjeve dhe ujrave të shkarkuara, aplikuesi mund të bashkëngjes projektin ideor me paramasë dhe parallogari për investim konkret, ku në këtë rast nuk është bashkëngjitur dokumenti i kërkuar sipas kritereve të përcaktuara. Tek plani i biznesit, pika 5 kapaciteti prodhues, citohet “Duhet të jepet përshkrimi i procesit të prodhimit që aplikohet në investimin e planifikuar”, dhe në rastin konkret kemi të paraqitura vetëm të hyrat në vlerën monetare përmes implementimit të projektit, mirëpo nuk përshkruhet procesi teknologjik i prodhimit, konform investimeve të keruara. Andaj, AZHB, ka marrë vendim për refuzim”- sqaron më tej kjo ministri.
KB ‘Krusha’ kishte bërë edhe ankesë lidhur me këtë refuzim, për të cilën ministria thekson se “edhe në ankesë është shikuar baza ligjore”.
Sipas ministrisë, “në rastin e aplikimit për menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave të shkarkuara, aplikuesi duhet të bashkëngjes projektin ideor me para masë dhe parallogaritë për investimin konkret, ku në këtë rast nuk është bashkëngjitur dokumenti i kërkuar sipas kritereve të përcaktuara”.
“Komisioni pas vlerësimit të pretendimeve të palës të paraqitura në ankesë, dëshmive/fakteve dhe bazës ligjore si më lart, ka konstatuar se ankesa e palës/fermerit është e pabazuar dhe ka vendosur për refuzim të ankesës”- është thënë më tej nga ministria.
KB ‘Krusha’ në reagimin e bërë me 17 nëntor ka potencuar po ashtu se që nga viti 2015 nuk ka marr asnjë grant nga ministria, madje edhe ky i fundit nuk ishte alokuar në tërësi.
Lidhur me këtë, ministria thekson se Kooperativa e kishte marr një refuzim edhe në vitin 2019.
“Biznesi KB Krusha me pronar të vetëm znj. Fahrije Hoti, gjatë viteve: 2016, 2017, 2018 – nuk ka aplikuar për grant, në vitin 2019 – figuron si aplikacion i refuzuar pas kontrollit të parë në teren, vitet 2020,2021 dhe 2022 nuk ka aplikuar për grant, dhe në vitin 2023 është refuzuar për mosplotësim të kritereve”- shpjegon ministria.
Derisa, lidhur me deklarimin se granti nuk ishte alokuar në tërësi, MBPZhR bëri të ditur si në vijim:
“Aplikuesja ka qenë përfituese e projektit në masën 103 – përpunimi i pemëve dhe perimeve gjegjësisht nënmasës 103.3 ne vlerë totale prej 71,500.00 euro me % të perkrahjes publike 50% që i bie 35,750.00 euro. E njejta ka pasë të drejtë në paradhënie pas nënshkrimit të kontratës në 50 % të vlerës së përkrahjes publike dhe kjo vlerë i është rimbursuar ( 17,875.00 Euro)”.
“Përfituesja bazuar në nenin 12 paragrafin 6 pika 6.2 dhe 6.3 pas nënshkrimit të kontratës ka pasur afat për implementimin e projektit 12 muaj me mundësi të vazhdimit të afatit edhe 2 muaj në rast se ka pasur arsye siç është respektimi i periudhës vegjetative te bimët, sjellja e ndonjë makine prej ndonjë vendi të huaj. E njëjta ka parashtruar kërkesë për zgjatje të afatit, deri me 15.03.2017, e cila kërkesë është miratuar sipas nenit 12 paragrafit 6 pikës 6.3 dhe i është zgjatur afati për 2 muaj aq sa ka lejuar U/A 01/2015”- thekson ministria.
Sipas ministrisë, përfituesja nuk ka parashtruar kërkesë për pagesë brenda afatit ligjor dhe Departamenti për Autorizimim e Pagesave, i AZHB-së, duke u bazuar në nenin 29 paragrafin 5 të Udhëzimit Administrativ ka refuzuar kërkesën për pagesë dhe rasti [tani] është në proces gjyqësor.
“Pas refuzimit të kërkesës për pagesë për arsyet e lartë përmendura është inicuar procedurë për kthimin e mjeteve të përfituara si paradhënie të cilat përfituesja nuk i ka kthyer, dhe me datë 19.01.2017 Zyra Ligjore e MBPZHR ka ushtruar padi pranë gjykatës për kthim të mjeteve financiare të përfituara si paradhënie. Lënda e të lartëpërmendurës është në proces gjygjësor dhe sipas informatave nga Zyra Ligjore e AZHB-së, nuk ka njoftim zyrtar për këtë padi nga gjykata”- bënë të ditur Ministria.
Kooperative “Krusha” udhëhiqet nga gratë, burrat e të cilave janë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Biznesi i tyre zhvillohet nga fshati Krushë e Madhe në komunën e Rahovecit.
Pas raportimeve se Ministria e Bujqësisë shpërbleu vëllain e deputetes Fitore Pacolli, më 15.11.2024 ministri Faton Peci reagoi duke thënë se ai “nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon”, si dhe “nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.
Përmes një postimi në Facebook, Peci tha se pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive tjera opozitare, Ministria e Bujqësisë do të ndajë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik.
Ndaj akuzave të opozitës dhe raportimit të mediave, reagoi në Facebook edhe vetë deputetja Fitore Pacolli, duke paralajmëruar padi në gjykatë.