Ministri i Çekisë për Çështje Evropiane, Martin Dvorak është deklaruar për vizitën e tij që po e zhvillon në Kosovë, teksa u shpreh i kënaqur me progresin domethënës që sipas tij, Kosova e ka bërë.
Dvorak tha se Çekia në afatgjatë ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa përmendi edhe liberalizimin e vizave.
“Po ashtu, jam i kënaqur që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht, sikurse unë kam udhëtuar drejt Kosovës dhe më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KiE”.
Ai po ashtu foli edhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian që sipas tij, lidhet ngushtë me dialogun me Serbinë.
“Siç e ritheksova, Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës dhe kam dëshmi për këtë. Një shprehje e miqësisë përfshin po ashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë dhe do të më pëlqente të them që për integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, tha Dvorak.
Tutje, ai tha se Çekia është e gatshme që t’i ofrojë Kosovës mbështetjen, udhëzuesin dhe ekspertizën për t’i ndihmuar Kosovës për t’i arritur qëllimet e saj evropiane, teksa u shpreh i bindur se Kosova do të ketë sukses në këtë aspekt.