Edhe kjo e shtunë ka shënuar një fluks të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion bregdetin shqiptar për pushime.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, nga ora 05:00 deri në orën 11:00 të kësaj të shtune, në Shqipëri kanë hyrë 18,092 qytetarë të Kosovës, me 4,673 mjete të vogla dhe autobusë.
Krahasuar me të shtunën e kaluar, kur në Shqipëri hynë 24,764 qytetarë të Kosovës me 6,247 mjete, këtë të shtunë është regjistruar një rënie prej 6,672 hyrjesh, ose rreth 27%.
Rënia e fluksit vjen në një kohë kur sezoni turistik ndodhet në kulmin e tij dhe lidhet, ndër të tjera, edhe me largimin e një pjese të diasporës kosovare drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, pasi kanë shfrytëzuar pushimet në vendlindje dhe në bregdetin shqiptar.
Megjithatë, fluksi i pushuesve nga Kosova mund të rritet sërish gjatë 15 ditëve të fundit të gushtit, pasi shumë familje pritet të shfrytëzojnë ditët e fundit të pushimeve përpara nisjes së vitit të ri shkollor në Kosovë, më 1 shtator.
Pika kufitare e Morinës vijon të mbetet një nga akset kryesore të lëvizjes së pushuesve nga Kosova drejt destinacioneve turistike të Shqipërisë./Shqiptarja.com