Pas dy librave të suksesshëm me poezi të botuar deri më tani, ”Lot mbi oqean” (Prishtinë, 2018) dhe “Përtej valës” (Prishtinë, 2020), këto ditë para lexuesve, poeti dhe publicisti Prend Ndoja, i cili jeton dhe vepron në SHBA, paraqitet me librin e tij të tretë, “Udhës së mërgimtarit”.
Ky libër është përmbledhje esesh, me tematikë të ndryshme, si dhe vështrime mbi aktualitetin shoqëror, politik, meditime filozofike etj. Recensenti i librit, Ndue Lazri, thekson se Prend Ndoja në këtë libër me ese na shfaqet jo vetëm një autor fin, por edhe me një bagazh të thellë njohjeje, me një diapazon të gjerë këndvështrimi të problemeve historike e aktuale. Në këtë libër ai është herë në rolin e gazetarit e herë në atë të tregimtarit të mirëfilltë. Edhe aty ku ai ndalet në probleme të mprehta politike e sociale, nuk merr pozat e politologut, opinionistit apo analistit social të rëndomtë e të mërzitshëm, siç na ndodh të shohim rëndom në shtyp e në medie. Përkundrazi, me eksperiencën e me pjekurinë që ka fituar, ai dëshmon se është bashkëbisedues i thellë e i urtë në të gjitha argumentet që trajton në librin e tij.
Prend Ndoja nuk është një autor që merr poza, por përkundrazi, ai është i vërtetë në çdo gjë dhe me artin e tij të të shkruarit, të merr përdore e vihet në rolin e rrëfyesit apo ciceronit, duke të treguar me emocion ato çfarë ka përjetuar vetë, kur tregon udhën e mërgimtarit, shkruan Lazri në parathënie të librit.
Libri “Udhës së mërgimtarit” hyn na radhën e teksteve të rralla që kanë trajtuar në detaje fragmente nga jeta e vështirë nën pushtetin serb, si përndjekjet dhe vrasjet enigmatike të të rinjve shqiptarë gjatë shërbimit ushtarak në ish-armatën jugosllave, pa lënë anash edhe materialet me vlerë mbi jetën e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kontributin madhor për pavarësinë e Kosovës. Libri shquhet për stilin e veçantë, rrëfimin plot gjallëri e emocione të fuqishme, që burojnë nga dramaticiteti i subjektit që trajtohet.
Përndryshe, autori Prend Ndoja u lind më 2 shkurt 1962, në fshatin Bec të komunës së Gjakovës. Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare në demonstratat e vitit 1981, ai u arrestua dhe u keqtrajtua nga forcat policore serbo – jugosllave. Edhe gjatë shërbimit ushtrarak (1982, Maribor), ai u përball me provokime e përndjekje për shkak të përkatësisë nacionale dhe karakterit të tij të veçantë. Këtu filloi të shkruante poezi, të cilat eprorët e tij ushtarakë e kishin detyruar t’i përkthente edhe në gjuhën serbe, që të kontrollonin gjithçka, gjë që ishte e vështirë për të, për shkak të mosnjohjes së mirë të gjuhës serbe, duke e kërcënuar se do ta dërgonin në gjyqin ushtarak. Pas përndjekjeve të vazhdueshme e torturave mizore, ai i vazhdoi studimet, për të hapur një rrugë tjetër të jetës në përgatitjen e tij arsimore. Pas shumë vuajtjesh, e duke parë edhe jetën e vështirë, në vitin 1986 Prend Ndoja u largua nga vendlindja dhe emigroi në SHBA, ku mori pjesë aktive në lëvizjen e komunitetit shqiptaro – amerikan në përkrahjen e çështjes së Kosovës dhe përgjithësisht çështjes shqiptare në Ballkan.
Ndoja, vazhdimisht është marrë me shkrime, sidomos me krijime letrare, të cilat i ka botuar në portale dhe medie të ndryshme.