Janë këta mërgimtarët që ta kënaqin syrin kur i sheh të bashkuar sikur bletët punëtore, andaj personazhi im, i vizitës sime në Gjermani dhe takimi i parë ishte Fatmir Haskaj, një qytetar pejan, që shumëkush ia kishte lakmi për punën dhe biznesin e tij në qytetin e bukur të Shtutgartit. Nga qyteti i Calwit u nisëm me Armendin, djalin tim drejt Shtutgartit me ftesën e babait të Fatmirit, z.Qazim Haskaj, për një kafe dhe një takim miqësor me karakter pune. Në pritje na kishin dalur Qazimi me djalin e tij Fatmirin dhe nipat Bujar e Besart Haskaj, ku na uruan mirëseardhje, së pari në zyrën e tij të bukur, me motive tipike shqiptare.
Përnjëherë menduam se jemi në ndonjë odë apo kullë të traditës shqiptare, në të cilën bukur qëndronte portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, por edhe portreti i Nënë Terezës, me buzëqeshjen e saj të ëmbël, sikur na thoshte – mirë e keni menduar vizitën tek ky mërgimtar, që ia vlen të shkruhet për të, dhe shumë të tjerë si ky, që me një këmbë janë në perëndim, e me tjetrën në Kosovë.
Më tutje, në çdo kënd të shumë zyreve të këtij afaristi të suksesshëm shqiptar, kishte edhe instrumente popullore si: çiftelia e libra të shumtë, por më bëri përshtypje libri i autorit Nusret Pllana „Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999“ ( në 9 gjuhë botërore), vepër që e ka plasuar në arenën ndërkombëtare ( në gjithë globin tokësor), si dhe merita e Fatmirit rreth sponsorizimit që ky libër të jetë në dorën e diplomatëve evropianë.






