“Spiun”, “tradhtar”, “kriminel”, “hajn” e “llaskuç”!
Epitete të tilla, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë mveshur lehtësisht njëri-tjetrit, sidomos në seancat e dy javëve të fundit.
Gjuha e tillë fyese dhe denigruese është përdorur edhe nga përfaqësues të pushtetit, edhe të opozitës, edhe nga burra, edhe nga gra.
Ajo ka kulmuar më 11 tetor, kur partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – ka mbivotuar kundër kërkesës së partive opozitare për një seancë të jashtëzakonshme, lidhur me përgjimin e një bisede telefonike, e cila, sipas opozitës, përfshin shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tani i akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Për disa analistë të politikës, ato janë duke u intensifikuar me afrimin drejt zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
“Beteja për rritje apo mbajtje të elektoratit po bëhet në mënyrë të paskrupullt, duke dëgjuar çdo ditë akuza apo kundërakuza, me apo pa bazë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arton Demhasaj nga Organizata joqeveritare “Çohu”.
Për Rrahman Paçarizin, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, gjuha e tillë denigruese bëhet e zakonshme në Kosovë përpara çdo procesi zgjedhor.
“Diskursi është krejt i ngjashëm dhe zakonisht shkon kah një lloj nacionalizmi, kah një lloj përpjekjeje për të dëshmuar se cila parti është më nacionaliste apo më atdhetare”, thotë ai.
Sipas të dy vëzhguesve, kjo gjuhë vetëm se e degjeneron diskursin parlamentar.
“Nuk është se ndonjë deputet i pushtetit ka pasur iniciativë apo qëllim ta degradojë gjuhën karshi oponentëve. Është, thjesht, një lloj përgjigjeje ndaj gjuhës së përdorur [nga opozita]”, thotë Dugolli për Radion Evropa e Lirë.
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, drejton akuza të ngjashme kundër deputetëve të Vetëvendosjes.
“Ky debat shkon duke u ashpërsuar, për shkak të numrave nga shumica, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje. Sikur ta kishim një sjellje normale, ku do ta lejonin debatin dhe do t’i dëgjonin pretendimet e opozitës me qetësi, atëherë normalisht që nuk do të vinte deri te diskutimi aq i ashpër”, thotë Tahiri.
Për Arben Gashin, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, gjuha denigruese – kushdo që e pëdor – “është e gabuar”.
“Nuk u shërben asgjë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm e polarizon skenën politike”, thotë ai.
Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të partisë tjetër në opozitë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se debatet me gjuhë të ashpër, janë karakteristikë e parlamenteve të vendeve me demokraci.
Por, sipas tij, AAK-ja nuk e mbështet gjuhën denigruese dhe “varet nga deputetët veç e veç se çfarë gjuhe përdorin”.
“Gjuha ofenduese duhet të dënohet. Ajo nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve këtu në Kuvend. Jemi pak para zgjedhjeve dhe unë nuk pres ndonjë diskurs më të ashpër, më të rëndë, mirëpo pres ballafaqim më të fortë ndërmjet opozitës dhe Qeverisë”, thotë Tahiri.
Përfaqësuesit e partive politike, me të cilët bisedoi REL-i, thonë se jo.
Ata pretendojnë kështu përkundër faktit se fjalët ofenduese dhe denigruese në adresë të njëri-tjetrit, deputetët e pushtetit dhe opozitës i kanë shprehur teksa kanë akuzuar njëri-tjetrin për bashkëpunim ose komunikim me Listën Serbe dhe ish-nënkryetarin e saj, Radoiçiq.
Sipas Demhasajt, përplasjet e partive parlamentare me akuzat “për bashkëpunim me Listën Serbe”, rrezikojnë stigmatizimin e kësaj partie – që është më e madhja e serbëve në Kosovë – por edhe të partive të tjera të këtij komuniteti.
“Krejt këto akuza që po i shohim sot, të cilat po i bëjnë partitë politike ndaj njëra-tjetrës… Ato nesër mund të përfundojnë bashkë në një qeveri – këto mes vete e ndoshta bashkë edhe me Listën Serbe”, thotë Demhasaj.
Por, ndryshe e sheh situatën Paçarizi. Sipas tij, Lista Serbe, e cila mbështetet dhe dirigjohet nga Beogradi zyrtar dhe politikat e tij, nuk mund të përjetohet më si partnere e besueshme nga partitë politike shqiptare.
Ai thekson se përplasjet ndërmjet partive politike nuk kanë të bëjnë me ndonjë përpjekje për stigmatizim apo dobësim të Listës Serbe, por me, siç thotë, mungesën e kreativitetit të tyre për të ndërtuar kauza apo për të nisur koncepte politike të qarta dhe të profilizuara mirë.
“Për shkak të mungesës së kreativitetit, merren me çështje, të cilat janë më të lehta dhe më popullore, siç janë: rrahagjokset për patriotizëm, për atë se kush e ka çliruar veriun, a është çliruar veriu, a ka apo nuk ka sovranitet etj.”, thotë Paçarizi.
Të dy analistët thonë se degradimi i gjuhës së komunikimit parlamentar, në funksion të arritjes së efekteve politike, duhet shmangur.
Duke kujtuar se në të kaluarën ka pasur raste kur deputetët janë përleshur edhe fizikisht, ata thonë se gjuha dhe sjellja e tillë kanë, pastaj, efekt zinxhiror edhe tek opinioni.
“Ka rrezik të barten edhe te familjet e tyre, te qytetarët, të cilët mund të mos përmbahen dhe të reagojnë në mënyrë të papërgjegjshme”, përfundon Paçarizi./REL/