LAJME

Mbi një vit nga zhdukja e veteranit të UÇK-së, familja e Zylfi Tejecit kërkon përgjigje nga institucionet

Mbi një vit nga zhdukja e veteranit të UÇK-së, familja e Zylfi Tejecit kërkon përgjigje nga institucionet
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Mars 2026, 20:48

Familja e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zylfi Tejeci nga Hasi, ka reaguar publikisht duke kërkuar nga institucionet shtetërore më shumë transparencë dhe angazhim për zbardhjen e fatit të tij, pasi kanë kaluar mbi një vit nga zhdukja e tij pa ndonjë përgjigje konkrete.

Në reagimin e bërë në emër të familjes dhe të rinisë së Hasit, thuhet se kanë kaluar më shumë se 1 vit e 2 muaj nga zhdukja e Zylfi Tejecit, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të qarta për rastin.

Familjarët shprehen të shqetësuar për, siç e quajnë ata, mungesën e transparencës dhe veprimeve konkrete nga institucionet përgjegjëse për hetimin e këtij rasti.

 

“Është e papranueshme që një rast i tillë të mbetet në heshtje, ndërsa familja dhe komuniteti vazhdojnë të presin përgjigje”, thuhet në reagim.

 

Në reagim përmendet edhe mungesa e një reagimi publik nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Has, për të cilën familjarët thonë se pritej të ishte më aktive në ngritjen e kësaj çështjeje.

 

Familja dhe përfaqësues të komunitetit hasjan u kanë bërë thirrje institucioneve shtetërore që të dalin publikisht me informacione dhe të intensifikojnë hetimet për zbardhjen e fatit të Zylfi Tejecit.

 

Po ashtu, ata kërkojnë edhe nga OVL UÇK – Dega Has që të angazhohet më shumë për këtë rast.

 

Familjarët paralajmërojnë se, nëse nuk ka reagim institucional dhe vazhdon heshtja, komuniteti mund të organizojë edhe protestë qytetare, me qëllim kërkimin e përgjigjeve dhe drejtësisë për veteranin e zhdukur.

 

Sipas tyre, një veteran i UÇK-së nuk mund të zhduket pa u dhënë përgjigje të qarta për familjen dhe opinionin publik.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika