Analfabetizmi në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është në rënie, mirëpo kjo shifër prej mbi 30 mijë njerëzish konsiderohet shqetësuese. Njohës të fushës vlerësojnë se kjo rënie mund të jetë krahas rënies së popullsisë.
Mbi 30 mijë njerëz në Kosovë konsiderohen analfabetë sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të nxjerra nga regjistrimi i popullsisë. Në krahasim me para trembëdhjetë vjetësh, rënia e numrit të personave që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë e qytetarëve mbi 10-vjeç, është 1,5 për qind.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, deklaron se në raport me vendet evropiane Kosova ka shkallë të lartë të analfabetizmit.
Sipas Pupovcit, brengosëse për institucionet duhet të jenë moshat e reja që janë pjesë e kësaj kategorie.
“Është në rënie, mirëpo këtë vit akoma nuk i kemi të zbërthyera në grup-mosha. Në vitin 2011, mbi 60%, rreth 30 mijë kanë qenë të moshës mbi 65 vjeç, tash duhet parë ato, por gjithsesi brengosëse është grup-mosha e të rinjve që mund të jenë në grupin e analfabetëve, ku në 2011 kanë qenë 12.6 % prej 10 deri në 29 vjeç dhe ata janë brenga e shtetit me të cilën duhen marrë”, tha Pupovci për rtv21.
Agjencia e Statistikave të Kosovës prezantoi shifra në rënie, mirëpo sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, kjo mund të jetë edhe si shkak i rënies së popullsisë.
“Statistikat e prezentuara nga ASK-ja tregojnë një shifër në rënie, por përgjithësisht shqetësuese. Kjo kërkon një reagim institucional dhe një raport më të detajuar nga ASK-ja. Shifra është në rënie, por kjo duhet të kalkulohet me numrin total të popullsisë, që i bie që përgjithësisht trendi është relativisht i ngjashëm ose ka pasë përmirësim të reduktuar”, tha Qehaja.
Problemet me sistemin arsimor janë dëshmuar edhe në testimin ndërkombëtar të 15-vjeçarëve, PISA, ku nxënësit kosovarë janë renditur në pesë vendet e fundit, për lexim, matematikë e shkencë.