Të dielën Klubi i Biçiklistëve “Pro Bike” Prizren në kuadër të projektit “Çiklo Sot, Çiklo për Shëndet,” e mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Komuna e Prizrenit, ka realizuar një workshop mbi ndikimin e çiklizmit ne shëndetin e njeriut.
Në një komunikate për media nga Pro Bike Prizren shkruhet se projekti ka inkurajuar individët të përqafojnë çiklizmin si një mjet për të përmirësuar shëndetin e tyre fizik. Përmes sesioneve informative dhe praktike të workshopit, pjesëmarrësit kanë mësuar vlerat e aktivitetit fizik të rregullt dhe shëndetit kardiovaskular nga Prof. Ass. Dr. Bernard Tahribegolli, specialist i mjekësisë sportive dhe koordinator në Agjencinë Kosovo Anti-Doping (KosADA). Prezantimi nga Dr. Tahirbegolli ka ofruar informacion të vlefshëm rreth rëndësisë së shëndetit të zemrës, sistemit kardiovaskular dhe sistemit muskulaturë në përgjithësi.
Në pjesën e dytë të workshopit ligjërues ishte Sportisti Veteran Kompititiv, Edis Krusha i cili ka folur për çiklizmin në përgjithësi si një hobi dhe një sfidë garues. Ai po ashtu ka theksuar metodat e përgatitjes për gara dhe zhvillimin e kondicionit si element kryesor për sport-bërje. Krusha ka folur edhe për rregullat e sigurisë rrugore dhe praktikat e duhura për të udhëtuar me biçikletë në rrugët e qytetit.






