Krahas personave që heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, ka edhe persona të tjerë të cilët kërkojnë që të jenë shtetas të Kosovës. Liridon Neziri, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, thotë për Radio Kosovën se kërkesat për shtetësi të Kosovës kryesisht janë për bashkim familjar. Ndërkaq, vitin e kaluar për marrjen e shtetësisë së Kosovës, kanë qenë 1 mijë e 100 kërkesa.
Nga mbi 1 mijë kërkesa për marrjen e shtetësisë së Kosovës, prej tyre mbi 400 janë të aprovuara, ndërkaq prijnë kërkesat për bashkim familjar, kërkesa nga diaspora, ndërkaq një numër i vogël janë edhe kërkesat për marrjen e shtetësisë në bazë të qëndrimit. Liridon Neziri, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, sqaron për Radio Kosovën se kriteret dhe trajtimi janë jashtëzakonisht preciz. Sipas tij, e drejta për ta marrë shtetësinë përmes qëndrimit në Kosovë, zgjat deri në dhjetë vjet. Fillimisht personat duhet të kenë leje qëndrimi të përkohshëm për 5 vjet, e pastaj të marrin lejeqëndrimin edhe për 5 vjet të tjera.
“Minimumi i qëndrimit në territorin e Republikës së Kosovës për të marrë shtetësinë në bazë të qëndrimit, është 10 vjet”, tha Neziri.





